Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve L.L., A.A., E.G., dhe E.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Grabitja në tentativë”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Grabitja”, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, të akuzuarit L.L, A.A dhe E.G., me dashje ndërmarrin veprime për kryerjen e veprës penale të grabitjes, por vepra penale nuk është kryer tërësisht, në atë mënyrë që me datë 15.11.2021, rreth orës 17:02 minuta, në rrugën ”Adem Jashari”, në Prizren, duke vepruar në grup të armatosur dhe të maskuar me maska në kokë dhe dorëza në duar, përdorin forcën që rezulton me lëndim të rëndë dhe të lehtë trupor, asisoj që i pandehuri A.A me armën e tipit “AK-47”, i pandehuri L.L me pistoletën “CZ” dhe i pandehuri E.Sh me një armë të gjatë të ashtuquajtur “pumparicë”, të cilët me vete kishin edhe një çekan me një kuti të plastikës, me shpejtësi dalin nga vetura e tyre, dhe me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë, në këtë rast të arit, hyjnë në dyqanin e argjendarit ku ishin pronari – i dëmtuari O.K., dhe biri i tij – i dëmtuari I.K., dhe në ballafaqim me ta nuk arrijnë ta marrin arin, por që me armë të zjarrit shkrep i pandehuri A.A., e pastaj shkrep i pandehuri E.Sh., i cili iu shkakton lëndime të dëmtuarve I.K., e O.K., e pastaj me pistoletë në drejtim të të dëmtuarit O.K., shkrep i pandehuri L.L., të cilin e godet në abdomen, e pastaj me shpejtësi me automjet ikin nga vendi i ngjarjes në drejtim të rrugës regjionale Prizren-Suharekë, me ç’rast i dëmtuari O.K., pëson plagë të rënda trupore me pasoja të përhershme në shëndet, kurse i dëmtuari I.K., pëson dëmtime të lehta trupore me pasoja të përkohshme në shëndet.
Në këtë mënyrë të akuzuarit L.L., A.A., dhe E.G., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja në tentativë” sipas KPRK-së. Po ashtu, pas shkrepjes me armë e duke marrë parasysh se në ato momente kanë qenë të pranishëm një numër i madh i njerëzve, kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror për të lartpërmendurit, kësodore kanë bashkëkryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve sipas KPRK-së.





