Përfaqësuesi i gastronomëve, Petrit Kllokoqi, ka kërkuar që t’iu falen një pjesë e gjobave të shqiptuara për shkleje të rregullave kundër pandemisë duke u arsyetuar se janë në gjendje të vështirë ekonomike.
“Diku rreth 3.3 milionë janë ndarë për gastronomi dhe deri më sot ne i kemi marrë dënime mbi 6 milionë euro. Që i bie se as me subvencionim nuk mund t’i paguajmë. Të ndalet dora për dënimet dhe një pjesë e dënimeve të falen sepse jemi në gjendje të rëndë ekonomike”.
Kllokoqi ka thënë se tashmë numrat e rritur të të infektuarve me COVID-19 nuk është faj i tyre, por i fushatave zgjedhore.
Përfaqësuesi i gastronomeve ka shprehur edhe shqetësimin për aksionet e policisë në lokalet e tyre.
“Kemi pasur diskutime me organet e sigurisë dhe kemi gjetur mirëkuptim që policia mos të futet me armë të gjata në lokalet tona, sepse po ngjallë panik te klientët”.
Kllokoqi thotë se subvencionimet e premtuara për gastronominë nuk janë dhënë derisa sipas tij dënimet kanë vazhduar.
“Të na falin një pjesë të dënimeve sepse nuk po mundemi të ja dalim”, deklaroi ndër të tjera Petrit Kllokoqi nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.