LAJME

FSK nënshkruan marrëveshjen për pjesëmarrje në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza

FSK nënshkruan marrëveshjen për pjesëmarrje në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza
TV Prizreni
TV Prizreni
7 Shtator 2026, 13:19

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë një hap të rëndësishëm drejt angazhimit në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS) në Gaza.

Në prani të ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe një përfaqësuesi të Bordit të Paqes, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe komandanti i FNS-së në Gaza, gjeneralmajor Jasper Jeffers, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Participimit në Mision.

Sipas njoftimit, marrëveshja rregullon aspektet teknike të angazhimit të kontingjentit të FSK-së në Gaza.

Me këtë rast, Maqedonci ka zhvilluar takim me gjeneralmajorin Jasper Jeffers dhe delegacionin e tij, ku është diskutuar për angazhimin e Republikës së Kosovës në këtë mision, si dhe gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar së bashku me partnerët në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes është takuar edhe me zyrtarin ndërlidhës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bordin e Paqes, James Bjorkman. Në takim është diskutuar për angazhimin e Kosovës dhe FSK-së në kuadër të FNS-së në Gaza, si dhe për koordinimin dhe bashkëpunimin për realizimin e këtij misioni.

Gjatë takimeve është vlerësuar lart edhe profesionalizmi i pjesëtarëve të FSK-së.

Në njoftim theksohet se Kosova synon të forcojë rolin e saj në sigurinë ndërkombëtare, duke kaluar nga një vend që ka përfituar nga mbështetja ndërkombëtare e sigurisë në një vend që kontribuon për paqen dhe sigurinë në bashkëpunim me aleatët dhe partnerët.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika