Në Komunën e Dragashit kanë nisur punimet në disa projekte infrastrukturore, të cilat synojnë përmirësimin e qasjes rrugore, rritjen e sigurisë dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe turistike.
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë të ditur se ka filluar ndërtimi dhe rehabilitimi i rrugës Brezne – Koritnik, projekt që, përveç përmirësimit të infrastrukturës dhe qasjes në këtë zonë, pritet të mundësojë edhe organizimin e garave të paraglajdingut.
Paralelisht, kanë nisur punimet për ndërtimin e stadiumit në fshatin Kosavë, ndërsa po punohet edhe në rehabilitimin e rrugës dhe ndërtimin e mureve mbrojtëse në segmentin Zaplluxhe–Guri i Zi.
Sipas kryetarit Xheladini, ndërhyrjet në këtë segment janë të nevojshme për adresimin e pasojave të rrëshqitjes së dheut të shkaktuar nga vërshimet.
Të gjitha këto projekte po realizohen me financim nga Granti i Performancës, ndërsa sipas Komunës, investimet synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurisë, si dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e sportit dhe turizmit në territorin e Dragashit.
Investimet në infrastrukturë sportive dhe turistike konsiderohen pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për ta shfrytëzuar potencialin natyror të kësaj komune dhe për ta bërë atë më të qasshme për banorët dhe vizitorët.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.