Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Ekoregjioni”, Burim Shala ka bërë thirrje për kujdes ndaj mjedisit dhe pastërtisë në hapësirat publike gjatë festave të fundvitit.
Sipas tij prania e mërgimtarëve në këtë periudhë është një gëzim, sepse ata sjellin gjallëri, energji dhe dashuri në çdo familje dhe lagje.
“Por, së bashku me mikpritjen tonë të njohur, le të tregojmë edhe një anë tjetër të kujdesit tonë – atë për ambientin dhe pastërtinë e qytetit. Qyteti ynë është shtëpia jonë e përbashkët, dhe ashtu si kujdesemi për pastërtinë e shtëpive tona, duhet të kujdesemi edhe për rrugët, sheshet dhe hapësirat publike”, thuhet në thirrjen e tij, raporton Telegrafi.
Ai ka shtuar se pastërtia nuk është vetëm çështje estetike, porse reflekton kulturën, respektin dhe dashurinë për veten, për njëri-tjetrin dhe për vizitorët dhe se “është një shenjë e mirëseardhjes dhe vlerësimit për mërgimtarët”.
“Prandaj, ju ftojmë të gjithëve të kontribuojmë së bashku: Të hedhim mbeturinat në vendet e caktuara; Të kujdesemi për hapësirat publike dhe të mos dëmtojmë mjedisin; Të inkurajojmë njëri-tjetrin që ti mbajmë qytetet të pastër, jo vetëm gjatë kësaj periudhe, por gjatë gjithë vitit”, ka apeluar ai, duke uruar që qyteti të jetë shembull i pastërtisë dhe i mikpritjes. /Telegrafi/