Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) i ka shkruar një letër të hapur liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherazi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në lidhje me vendimin e partisë së tij që t’i bojkotojë tri kanale televizive në vend gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, nuk ka pasur një arsyetim formal rreth kanaleve televizive T7, TV Dukagjini dhe Klan Kosova për vendimin e LVV-së.
Në letrën e saj, Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që ta anulojë vendimin për bojkotimin e këtyre mediave dhe të sigurohet që Vetëvendosja të sigurojë qasje të barabartë në informacione publike për këto media.
“Të gjithë gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirisht dhe në mënyrë të drejtë për periudhën zgjedhore. Mbrojtja e lirive të medias dhe e drejta e publikut për një proces të informuar dhe demokratik duhet të jetë prioritet” – thuhet në letrën e ECPMF-së për Kurtin.
ECPMF ka theksuar se duke i bojkotuar kanalet kryesore televizive, minohet e drejta e publikut për informacion dhe roli esencial i gazetarëve në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies.
Më tej, ECPMF i ka cituar në letër dy prej udhëheqësve të kanaleve televizive se si janë njoftuar për vendimin e bojkotimit të kanaleve të tyre nga LVV.
“Zyrtarët nga Vetëvendosja më informuan se nuk do të marrin pjesë në programet e televizionit T7 gjatë fushatës zgjedhore. Ata nuk ofruan ndonjë arsyetim bindës për këtë vendim që më la të besoj se është një përpjekje për t’iu shmangur llogaridhënies publike” – ka shpjeguar drejtori i kanalit televiziv T7, Leonard Kerquki.
“Zyrtarët nga Vetëvendosja më informuan se nuk do të marrin pjesë në TV Dukagjini gjatë fushatës zgjedhore. Arsyetimi i tyre për këtë vendim gjatë takimit nuk ishte i qartë dhe ne kemi kërkuar sqarime të mëtejshme. Për ne, kjo reflekton frikën e partisë në pushtet për t’u ballafaquar me pyetjet e gazetarëve dhe komentatorët politikë në studio” – ka shtuar Ermal Panduri nga TV Dukagjini.
Tutje, ECPMF ka përmendur edhe shembuj të tjerë që vlerëson se tregojnë një shembull shqetësues të rënies së lirisë së medias në Kosovë.
ECPMF thotë se gjatë katër viteve të kaluara, derisa Reagimi i Shpejtë i Lirisë së Medias (MFRR) nga afër ka monitoruar zhvillimet në lirinë e medias, kanë qenë dëshmitarë të një rënie shqetësuese të lirisë së mediave në Kosovë.
“Në vitin 2022, partnerët e Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Europës vizituan Kosovën për të vlerësuar gjendjen e lirisë së medias dhe mbrojtjen e gazetarëve në vend. Derisa pak progres është vërejtur, misioni konstatoi se “retorikë toksike dhe fushatat e shpifjeve kundër medias, financimi i pamjaftueshëm i transmetuesit publik dhe mungesa e transparencës rrezikojnë të minojnë progresin” – ka thënë ECPMF.
Më tej, ECPMF bazohet edhe në të dhënat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, të cilat thotë se janë dyfishuar.
“Shumica e këtyre sulmeve përfshijnë sulme verbale nga anëtarë të partisë suaj, të cilët i kanë etiketuar gazetarët si “spiunë serbë” ose bashkëpuntorë dhe i kanë akuzuar që kanë lidhje me interesat serbe” – i ka adresuar ECPMF Kurtit.
Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias ia ka përmendur Kurtit edhe miratimin e Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media (KPM) në Kuvendin e Kosovës më 12.07.2024.
Sipas Qendrës, ky ligj i ri për median dështoi të përfshijë rekomandimet kritike të Këshillit të Europës, Komisionit Europian dhe shoqërisë civile.
“Ky ligj tashmë është në pritje të shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese. Zhvillime tjera alaramante përfshijnë një rënie në transparencë, mohimin e shpeshtë të qasjes në informacion dhe rritjen e ndërhyrjes politike në politikat editoriale të transmetuesve publikë. Këto veprime kanë kontribuar në rënien e Kosovës me 19 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij dhe kanë tërhequr kritika të gjera nga organet ndërkombëtare, duke përfshirë Raportin Vjetor të Komisionit Evropian 2024 që pretendon përpjekjet e qeverisë për të kontrolluar median” – ka thënë Qendra Evropiane.
“Kosova urgjentisht ka nevojë të marrë masa për të mbrojtur lirinë e medias, të promovojë transparencë dhe të sigurojë llogaridhënien e zyrtarëve publikë. Publiku, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore ka të drejtën themelore të qaset në informacione të ndryshme, të shqyrtojë me kujdes premtimet politike dhe t’i mbajë politikanët llogaridhënës” – ka potencuar ECPMF.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte reaguar pas miratimit të Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).
Sipas AGK-së, votimi i Projektligjit për KPM është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje i ka bërë kundër lirisë së medias në Kosovë. Po ashtu sipas tyre ky është tentim për disiplinim e kontroll të mediave.
“Partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e shoqërisë civile e mediave dhe ka shpërfillur Raportin e ekspertes së Këshillit të Europës, që ka konstatuar se pjesa më e madhe e Ligjit nuk i përmbushë standardet europiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Europës ku Kosova synon anëtarësimin. Një gjë e tillë, u theksua para votimit edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca”- thuhet në reagimin e AGK-së.
Pas miratimit të këtij Projektligji ka reaguar edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë.
“Rekomandimet kryesore të ekspertëve që nuk janë marrë parasysh kanë nxitur shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit. Nuk janë marrë parasysh as rekomandimet për rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore”- thuhet në deklaratën e OSBE-së, të lëshuar më 11.07.2024./Kallxo.com/