LAJME

PDK-ja nesër i drejtohet Kushtetueses

PDK-ja nesër i drejtohet Kushtetueses
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Shtator 2026, 17:42

Partia Demokratike e Kosovës do t’i drejtohet të hënën Gjykatës Kushtetuese, për të kontestuar procedurat e ndjekura gjatë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.

PDK-ja ka njoftuar se para objektit të Gjykatës Kushtetuese do të mbajë konferencë për media, ku do të prezantojë detajet e rastit që do të dorëzojë për shqyrtim.

Gjatë ditës, deputetë të PDK-së kanë bërë të ditur se kontestimi mund të përfshijë edhe votimin e Qeverisë Kurti 4, i cili u zhvillua sot në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, dhe deputeti Përparim Gruda thanë se partia do t’i adresojë në Kushtetuese, sipas tyre, shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës dhe ligjeve nga Lëvizja Vetëvendosje pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Tahiri tha se procedurat e zhvilluara sot në Kuvend, përfshirë shpalljen e konstituimit të legjislaturës, janë bërë jashtë afateve kushtetuese.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se LVV-ja nuk mund të shkelë afatet kushtetuese dhe më pas, sipas tij, të përdorë këto rrethana për t’ia mohuar PDK-së të drejtën për propozimin e nënkryetarit të Kuvendit.

Gruda iu referua disa aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë rastet KO124/25, KO193/25, KO196/25 dhe KO265/25, duke pretenduar se ato përcaktojnë se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët.

“Në këtë rast, Kuvendi nuk është konstituuar, pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Gruda.

Ai kundërshtoi interpretimin se PDK-ja ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar nënkryetarin.

Sipas tij, PDK-ja në letrën zyrtare drejtuar institucioneve ka bërë të qartë se nuk heq dorë nga kjo e drejtë, por vetëm është përmbajtur përkohësisht nga ushtrimi i saj, deri në sqarimin e çështjes nga Gjykata Kushtetuese.

Gruda theksoi se mes heqjes dorë nga një e drejtë kushtetuese dhe pezullimit të përkohshëm të ushtrimit të saj ekziston një dallim thelbësor.

Një tjetër argument i PDK-së lidhet me afatet për konstituimin e Kuvendit.

Sipas Grudës, afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht, ndërsa edhe afati i vendosur më pas, sipas tij si afat politik nga LVV-ja, 6 shtatori, nuk është respektuar.

Ai tha se deputetët e PDK-së kanë marrë pjesë në dy seanca të thirrura pas këtyre afateve, me qëllim që procesi i konstituimit të përfundonte.

Në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, u votua Qeveria Kurti 4. Qeveria mori votat e nevojshme për formimin e saj, ndërsa tetë deputetët e Listës Serbe votuan kundër. Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës nuk morën pjesë në votim.

Votimit të Qeverisë i parapriu vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, gjatë së cilës kryetarja Albulena Haxhiu e shpalli të konstituuar Legjislaturën e 11-të, pavarësisht se nuk ishte zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika