OJQ “EC Ma Ndryshe” përmes një reagimi publik, ka shprehur shqetësimin lidhur me siç thonë ata, punimet e paautorizuara që po vazhdojnë brenda Qendrës Historike të Prizrenit.
Oeganizata thekson se rasti i fundit është evidentuar në ndërtesën hoteliere, ku sipas autoriteteve të trashëgimisë kulturore punimet janë duke u zhvilluar pa lejen e institucioneve kompetente.
Sipas njoftimit, në përgjigjen e pranuar nga QRTK në Prizren, thuhet se punimet janë duke u realizuar “pa pëlqimin e institucioneve kompetente, konkretisht pa pëlqimin e QRTK-Prizren”.
“QRTK-Prizren ka bërë të ditur se ka njoftuar Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Prizrenit dhe Inspektoratin e Trashëgimisë së Kosovës në MKRS për ndërmarrjen e masave sipas legjislacionit në fuqi. Objekti në fjalë gjendet brenda Qendrës Historike të Prizrenit, zonë e mbrojtur me Ligjin Nr.04/L-066, ku çdo ndërhyrje kërkon pëlqim paraprak nga QRTK-Prizren.” – thuhet në njoftim.
EC Ma Ndryshe kërkon nga institucionet kompetente ndërmarrjen e menjëhershme të masave ligjore, si dhe monitorim më të shtuar të kësaj zone të mbrojtur.
Lidhur me rastin, EC-i thotë se ka dërguar kërkesa për informata edhe në institucione tjera dhe është në pritje të përgjigjeve zyrtare.