LAJME

EC Ma Ndryshe: Heshtja nuk është përgjigje institucionale

EC Ma Ndryshe: Heshtja nuk është përgjigje institucionale
TV Prizreni
TV Prizreni
1 Korrik 2026, 10:30

OJQ “EC Ma Ndryshe” ka shprehur shqetësimin lidhur me mungesën e përgjigjes institucionale ndaj ankesës së dorëzuar pas publikimit të rezultateve preliminare të thirrjes publike për mbështetje financiare të organizatave joqeveritare në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2026 nga Komuna e Prizrenit.

Pas publikimit të rezultateve, EC Ma Ndryshe thekson se ka ushtruar të drejtën e saj për ankesë, duke kërkuar rishqyrtimin e projekt-propozimit dhe, mbi të gjitha, qasje në arsyetimin e vendimit, vlerësimin e projektit dhe kriteret mbi të cilat është bazuar mosmbështetja e aplikimit të tyre.

“Më 20 maj është dorëzuar ankesa për rishqyrtimin e vendimit, ndërsa më 11 qershor është dërguar rikujtim zyrtar. Deri më sot nuk është pranuar asnjë përgjigje. Ky reagim nuk ka për qëllim të kontestojë mbështetjen e organizatave të tjera përfituese dhe as të kërkojë trajtim të privilegjuar. Ai ka të bëjë me një parim themelor të administrimit publik: të drejtën e çdo aplikuesi për të marrë një përgjigje dhe një arsyetim të vendimeve që e prekin.” – thuhet në reagim.

Sipas tyre, mosdhënia e një përgjigjeje ndaj një ankese zyrtare nuk kontribuon në forcimin e besimit të qytetarëve dhe organizatave në institucionet publike.

Tutje, EC Ma Ndryshe i ka bërë thirrje Komunës së Prizrenit përkatësisht Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport që të trajtojnë ankesën e paraqitur dhe të ofrojnë një përgjigje zyrtare, të argumentuar dhe në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika