Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person nga fshati Greme të Ferizajt më 25.01.2025 nën dyshimin se ka vjedhur 3 kilogram ari dhe 1 kilogram argjend në vlerë të përgjithshme prej 168 mijë eurove.
Sipas njoftimit, pas hetimeve ishte identifikuar i dyshuari me lokacion në fshatin Greme ku edhe janë sekuestruar disa prova.“Ankuesi Mashkull nga Prizren, pronar i një argjendari me datë 13.01.2025 ka raportuar se nga persona të dyshuar të panjohur i është vjedhur ari nga lokali – argjentari në Rr. “ Adem Jashari” në Prizren, sipas ankuesit nga argjentaria ia janë stoli ari rrethe 3 kg dhe 1 kg argjendtë ne vlere totale rreth 168.000 euro” – thuhet në njoftim.
“Gjatë kontrollit janë gjetur dëshmi-prova të shumta ndërlidhëse me rast të cilët dhe janë sekuestruar. Gjithashtu është sekuestruar edhe Automjeti me të cilin është kryer vepra penale si provë materiale” – thuhet në komunikatën e policisë.
Me urdhër të Prokurorit të çështjes i dyshuari mbahet në ndalim 48 orë ndërsa rasti është nën hetim.