Dogana e Kosovës ka konfiskuar 952.54 gramë ari të përpunuar, me vlerë të përafërt prej 120 mijë eurosh, gjatë kontrolleve të realizuara në tri argjendari në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrolleve të zhvilluara më 12 nëntor, në njërën prej argjendarive është zbuluar sasia e arit për të cilën janë ndërmarrë veprimet përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ndërkaq, në një argjendari tjetër është konstatuar prania e rreth pesë kilogramëve ari të pashenjëzuar, pa vulat përkatëse të kontrollit dhe shenjëzimit.
Lidhur me këtë rast, Dogana ka kërkuar asistencën e Inspektoratit kompetent të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), inspektorët e të cilit e kanë marrë në trajtim sasinë e identifikuar për verifikim dhe shenjëzim.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se kontrollet e tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të parandalimit të kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme të metaleve të çmuara.