LAJME

Ndahet nga jeta në moshën 85-vjeçare Hysen Bukoshi, ish-i burgosur politik

Ndahet nga jeta në moshën 85-vjeçare Hysen Bukoshi, ish-i burgosur politik
TV Prizreni
TV Prizreni
12 Nëntor 2026, 20:20

Ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare Hysen Bukoshi, atdhetar dhe veprimtar i çështjes kombëtare, i cili vuajti burgjet e ish-Jugosllavisë dhe të Shqipërisë komuniste.

I lindur më 1 janar 1941 në Bukosh të Therandës, Bukoshi u përball herët me përndjekjet politike për shkak të veprimtarisë së tij kombëtare. Pas arrestimit në Prizren, ai u dënua dhe vuajti burgun e Nishit në ish-Jugosllavi.

Pas lirimit, në vitin 1969 u largua për në Shqipëri, ku vazhdoi veprimtarinë e tij, por edhe atje u përball me përndjekjet e regjimit komunist. Në vitin 1975 u dënua me dhjetë vjet burg dhe iu konfiskua pasuria, ndërsa një pjesë të dënimit e vuajti në burgun e Ballshit.

Pas luftës në Kosovë, Hysen Bukoshi u vendos me familjen në Prizren, ku jetoi deri në ditën e ndarjes nga jeta.Ai ishte babai i ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, Rudina Bukoshi, dhe vëllai i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi.

Hysen Bukoshi do të kujtohet për angazhimin e tij atdhetar dhe për vuajtjet që përjetoi gjatë periudhave të përndjekjes politike në ish-Jugosllavi dhe Shqipërinë komuniste./tvprizreni.net/

 

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika