Kryetari i LPRK-së dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Erxhan Galushi, ka akuzuar KEDS-in për papërgjegjshmëri ndaj sigurisë publike dhe mirëqenies së qytetarëve, pasi këta të fundit sipas tij nuk kanë marrë me seriozitet kërkesat e LPRK-së për përmirësimin e gjendjes së shtyllave dhe kabllove elektrike.
“Aktualisht, po përballemi me kushte të motit të ligë, me erëra të forta, që po krijojnë një situatë të rrezikshme për qytetarët tanë. Ndër rreziqet kryesore janë shtyllat e dëmtuara dhe kabllot elektrike të shthurura, të cilat janë shtrirë mbi tokë dhe po paraqesin një kërcënim serioz për jetën dhe sigurinë e qytetarëve në lagjet e tyre. Si subjekt politik, LPRK ka paraqitur dhjetëra kërkesa drejtuar KEDS-it për përmirësimin e gjendjes së shtyllave dhe kabllove elektrike, por deri më tani ky institucion ka vazhduar të veprojë me pakujdesi të theksuar. Shpresojmë që të mos ndodhin lëndime apo incidente të tjera të padëshiruara, për të cilat përgjegjësia do të bjerë plotësisht mbi KEDS-in. Ky institucion po tregon një papërgjegjshmëri të thellë ndaj sigurisë publike dhe mirëqenies së qytetarëve. Turp!”, ka shkruar Galushi në Facebook./TVPrizreni/