Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më 25.08.2026, është takuar për herë të parë me shefin e ri të EULEX-it – Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Antero Lopes.
Përmes një njoftimi në rrjete sociale bëhet e ditur se Sveçla gjatë takimit ia ka uruar Lopes-it detyrën e re.
“Me këtë rast, ministri Sveçla falënderoi EULEX-in për kontributin e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës. Gjithashtu, Ministri Sveçla shprehu mirënjohje edhe për mbështetjen e dhënë nga EULEX gjatë gërmimeve të zhvilluara në varrezat masive në Zubin Potok.” – thuhet në njoftimin e ndarë në rrjete sociale nga Sveçla më 25.08.2026.
Në njoftim thuhet se është diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë.
Ndërsa tutje thuhet se ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, ka ritheksuar përkushtimin për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit.
Antero Lopes është shefi i ri i Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Ai u emërua më 15.07.2026 nga Këshilli i Bashkimit Europian, ndërsa mandati i tij ka filluar më 10.08.2026.
Misioni i EULEX-it ka bërë të ditur se Antero Lopes ka një përvojë të gjatë kombëtare dhe ndërkombëtare në funksione të larta udhëheqëse në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Gjithashtu ai ka shërbyer edhe në Kosovë për gjashtë vjet në Misionin e Administratës së Përkohshme të OKB-së (UNMIK), dhe vlerësohet se e njeh mirë kontekstin nga përvoja e fituar e tij në rajon.