Analisti politik Ramadan Baraliu ka reaguar për zhvillimet e fundit politike, duke shprehur shqetësimin e tij për, siç thotë, përpjekjet e Serbisë për të dëmtuar shtetin dhe imazhin e Kosovës.
Përmes një shkrimi të publikuar në rrjetet sociale, Baraliu ka deklaruar se Serbia synon të shfrytëzojë çdo moment të humbur nga Kosova për të avancuar agjendat e saj.
“Edhe një herë u konfirmua se Serbia mbetet aktive në përpjekjet për të dëmtuar gjithçka që lidhet me shtetin e Kosovës”, ka shkruar Baraliu.
Ai ka përmendur disa prej figurave politike dhe historike shqiptare, duke pretenduar se ndaj tyre Serbia ka ndjekur vazhdimisht një qasje kundërshtuese.
“E ka filluar me Isë Boletinin, Hasan Prishtinën e Adem Demaqin, e ka vazhduar me Ukshin Hotin, me Adem Jasharin. Hashim Thaçin e quan në Hagë, më herët Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn. Tani merren me Albin Kurtin”, ka shkruar ai.
Baraliu ka thënë se, sipas tij, “Serbia nuk mund të durojë liderë dinjitozë që e bëjnë Kosovën”, ndërsa ka shtuar se shqiptarët duhet të jenë të bashkuar përballë sfidave politike.
“Para Serbisë të gjithë jemi terroristë”, ka deklaruar Baraliu.
Në pjesën tjetër të reagimit, analisti politik ka bërë thirrje për shmangien e përçarjeve dhe krizave institucionale, duke vlerësuar se çdo boshllëk politik mund të shfrytëzohet kundër interesave të Kosovës.
“Kosova nuk e ka luksin e humbjes së kohës, të përçarjes dhe të mungesës së veprimit. Çdo boshllëk institucional, çdo krizë politike dhe çdo moment paqartësie mund të shfrytëzohet kundër interesave të saj”, ka shkruar Baraliu.
Ai ka bërë thirrje për bashkim dhe veprim të përgjegjshëm në mbrojtje të shtetit, identitetit dhe orientimit evropian të Kosovës.