LAJME

Banorët e rrugës “Reshat Karajgiu” në Prizren ankohen për ndërprerje të përditshme të ujit

Banorët e rrugës “Reshat Karajgiu” në Prizren ankohen për ndërprerje të përditshme të ujit
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Nëntor 2026, 10:05

Banorët e rrugës “Reshat Karajgiu” në Prizren kanë shprehur shqetësimin e tyre për ndërprerjen e përditshme të furnizimit me ujë, e cila, sipas tyre, ndodh nga ora 21:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

Përmes një ankese, ata thonë se kjo situatë po u shkakton vështirësi në përditshmëri, duke ua pamundësuar kryerjen e nevojave elementare familjare, si pastrimi, larja e enëve, përgatitja e ushqimit dhe mirëmbajtja e higjienës personale e familjare.

Banorët e konsiderojnë veçanërisht shqetësuese mungesën e ujit gjatë natës, duke theksuar se kjo krijon probleme për familjet me fëmijë, të moshuar dhe personat që kanë nevojë për kujdes të veçantë.

Ata shprehen se është e papranueshme të përballen çdo natë me këtë problem, pa pasur një zgjidhje të qartë dhe afatgjatë, pasi uji i pijshëm është nevojë themelore dhe jo luks.

Për këtë arsye, banorët kërkojnë nga kompania ‘’Hidroregjioni Jugor’’ përgjegjëse që të shqyrtojnë sa më parë këtë problem, të ndërmarrin masa konkrete për përmirësimin e furnizimit dhe të sigurojnë ujë gjatë 24 orëve.

Po ashtu, ata kërkojnë që të informohen paraprakisht për ndërprerjet e mundshme të furnizimit dhe të marrin sqarime për arsyet e kësaj situate.

Banorët shpresojnë që ankesa e tyre të merret seriozisht nga KRU ‘’Hidroregjioni Jugor’’ në Prizren, dhe problemi të zgjidhet sa më shpejt, në mënyrë që të mos vazhdojnë të përballen me këto vështirësi çdo ditë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika