Kryetarët e bashkësive lokale në Komunën e Prizrenit kanë paralajmëruar organizimin e një proteste paqësore para objektit të KEDS-it në Prizren, për të shprehur pakënaqësitë e qytetarëve lidhur me problemet e vazhdueshme në furnizimin me energji elektrike.
Protesta do të mbahet të hënën, më 23 nëntor, nga ora 11:00 deri në 12:00. Organizatorët kanë bërë të ditur se kërkesa dhe njoftimi zyrtar për protestën tashmë janë dorëzuar në Policinë e Kosovës dhe në KEDS.
Sipas organizatorëve, protesta synon të përfshijë shqetësimet e banorëve nga të gjitha rajonet e komunës, përfshirë Zhupën, Anadrininë, Vrrinin, Hasin, Lumën dhe qytetin e Prizrenit.






