Ballkani fitoi titullin në ligën kryesore të futbollit në Kosovë, Golden Ylli fitoi kupën në basketboll. Në këtë sport, fitoi vendin e parë edhe gjenerata U18.
Ndërsa në volejboll, në garat republikane të shkollave të mesme, vendin e parë e fitoi ekipi i Suharekës.
Këto suksese, Kryetari i kësaj Komune, Bali Muharremaj, në Sytë 7 në Klan Kosova tha se kanë ndikuar edhe në shtimin e interesimit të investitorëve vendor e të huaj në sektorin e sporteve. Po ashtu, sipas tij, është rritur edhe turizmi vendor e i jashtëm, të cilët po shprehin interesim për t’i shikuar nga afër ngjarjet e tilla sportive.
I njëjti njoftoi se aktualisht kanë të ndarë një buxhet prej 200 mijë euro në sektorin e sportit, por vitin e ardhshëm pretendojnë ta rrisin këtë buxhet në 350 mijë euro.
Muharremaj, thotë se suksesi i ekipeve sportive, po arrihet edhe fal bizneseve që operojnë në Komunën e tyre.
Por, Muharremja, u sqarua se nuk kanë mjaftueshëm toka komunale, për të ndërtuar fusha e terrene të tjera sportive, andaj kërkoi ndihmën e nivelit qendror për këtë.
Muharremaj, në Sytë 7, tha se përmes këtyre aktiviteteve sportive, po u mundësohet rinisë që të mos merren me veprime devijuese, por të kenë fokus në gjëra që janë pozitive për shëndetin mendor e fizik.
Në Suharekë, janë aktive edhe klubet sportive në karate, tekëando, çiklizëm, shah e sporte tjera.