Deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta kenë përballë edhe një herë Projektligjin për Trustin.
Të enjten ata do u përgjigjen qytetarëve me votë lidhur me kërkesën e tyre për lejimin e tërheqjes së Trustit, të cilën e kërkuan përmes peticionit që e dërguan në Kuvend.
Derisa partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje është shprehur vazhdimisht kundër këtij Projektligji, nga opozita janë optimist se do të kalojë.
Qëndrimin për votimin e këtij projektligji, Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon ta ketë të njëjtë.
Në një prononcim për Front Online, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha shkurtimisht se do ta votojnë.
“Po kemi me votuar Trustin”, deklaroi ai.
Gashi tha se deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në seancë.
“Ata që do të jenë në gjendje me ardh do të jenë aty. Qëndrimi politik i LDK-së është me marr pjesë në seancë”, u shpreh Gashi për Front Online.
Partia Demokratike e Kosovës, kishte propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.
Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së më 9 mars kishte dorëzuar në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.
Megjithatë ky projektligj nuk kishte marrë dritën jeshile të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në Qershor.
Pas këtij dështimi qytetarët e Kosovës përmes më shumë se 20 mijë nënshkrimeve ishin drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që t’u lejohet tërheqja e Trustit.