Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde, ka pritur të premten në rezidencën e tij në Prishtinë një grup maturantësh të ALG “Loyola-Gymnasium” nga Prizreni, të cilëve ua ka ndarë diplomat e gjuhës gjermane DSD II (B2 dhe C1).
Z. Rohde i ka përgëzuar nxënësit për rezultatin e arritur dhe u ka dëshiruar suksese në studime, duke i inkurajuar ata që të punojnë me përkushtim për të ndërtuar idetë e tyre.
Drejtori i “Loyola-Gymnasium”, z. Enver Sulaj, tha se arritjet e këtij institucioni janë të lidhura pashmangshëm me ndihmën dhe mbështetjen gjermane, e cila nuk ka munguar në asnjë fazë të punës së ALG-së, dhe shprehu fuqishëm zotimin se “Loyola-Gymnasium” do të punojë fort në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë së punës dhe të besimit në këtë shkollë, sepse ky vend e meriton një të ardhme më të mirë, ndërsa garancion për këtë janë të rinjtë dhe të rejat, të cilët me arritjet e tyre të deritanishme i bëjnë krenarë të gjithë.
Në këtë ceremoni, nxënësit shoqëroheshin edhe nga mësimdhënësit e gjuhës gjermane, z. Martin Häusler dhe znj. Shpres Zeka Karanezi.