Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, përmes një komunikate njofton se pas një pune hetimore, me urdhër të saj dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës – Sektorin e Hetimeve Rajonale në Prizren, të mbështetur edhe nga njësitë dhe stacionet tjera policore në Prizren dhe Prishtinë, ka ndaluar 2 (dy) persona nën dyshimin për kryerje të veprave penale: “Fajdeja” nga neni 331 paragrafi 1, “Detyrimi” nga neni 328 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321 paragrafi 1 dhe vepra penale “Fajdeja në ndihmë” nga neni 331 paragrafi 1 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK, nr. 06/L-074).
Aksioni është zhvilluar në tri lokacione të ndryshme, ku të pandehurit gjatë aplikimit të masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit, janë arrestuar në flagrancë.
Të njëjtit, dyshohen se kanë vepruar me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete duke kontraktuar shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), viktimën e fajdesë nga i cili shfrytëzojnë gjendjen tejet të rënduar financiare, papërvojën e tij dhe të njëjtit i ofrojnë një shumë të të hollave në formë të borxhit të cilin më pas e ngarkojnë me kamata të larta dhe të pa përballueshme.





