Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, përmes një komunikate njofton se gjyqtari i procedurës – Xheladin Osmani, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 20.04.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 20.05.2022, ndaj të pandehurve S.B., B.R., N.M., A.M., A.M. (II)., dhe GJ.R., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge nga neni 267 parag.2 dhe 3 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
Më datë 20 prill 2022, të pandehurit blejnë ose posedojnë pa autorizim me qëllim të shitjes, shpërndajnë ose ofrojnë për shitje dhe importojnë substanca apo preparate të shpallura me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që me marrëveshje paraprake dhe në mënyrë të organizuar i ndajnë rolet. Në këtë mënyrë i pandehuri Gj.R., i shet substanca narkotike të llojit marihuanë të pandehurve N.M, A.M., dhe A.M., të cilën substancë narkotike me automjetin e tipit “Mercedes” me targa të regjistrimit të Republikës së Shqipërisë e transporton nga Shqipëria në Kosovë tek i pandehuri B.R., ku rreth orës 06:30 minuta e kalon pikën kufitare të Vërmicës, i cili më pas në fshatin Vaganicë të Komunës së Mitrovicës takohet me të pandehurin N.M., bashkërisht hyjnë në garazhin e shtëpisë së të pandehurit N.M., për ta dorëzuar substancën narkotike, ku kapen në flagrancë të dy të pandehurit. Gjatë kontrollit në automjetin “Mercedes” me targa të regjistrimit të Republikës së Shqipërisë në bunkerin special të automjetit policia gjen 10,583 kg substancë narkotike të dyshuar për marihuanë, në garazhin e shtëpisë, pronë e të pandehurit N.M., policia gjen dy thasë të najlonit në 12 gjegjësisht 15 paketime me peshë 18 kg e 905 gram dhe 12 kg e 206.7 gram, nga ku të pandehurit N.M, A.M., dhe A.M., do ta transportonin në Serbi.





