Rastet kur të miturit shkaktojnë aksidente me vetura e rrezik në komunikacion është në rritje.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe mëngjesin e sotëm në rrugën “Tahir Sinani” ku dy persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore, si pasojë e një vetaksidenti që u shkaktua nga një 16-vjeçar.
Aksidenti dyshohet se është shkaktuar nga i mituri, i cili rreth orës 04:00 të mëngjesit, duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin duke u rrotulluar.
Sinjalizuesit kanë treguar për Sinjalin se vozitësi i cili dyshohet se shkaktoi aksidentin bashkë me të riun 23-vjeçar që ishte pasagjer janë dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Burime të Sinjalit brenda Emergjencës bëjnë me dije se pasagjeri 23-vjeçar për shkak të lëndimeve të rënda është dërguar për trajtim në QKUK, derisa shoferi 16-vjeçar është ende duke u trajtuar në Prizren.