LAJME

Edhe dega e LDK-së në Rahovec del kundër Abdixhikut

Edhe dega e LDK-së në Rahovec del kundër Abdixhikut
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Qershor 2026, 07:42

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Rahovec ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme brenda partisë, nga niveli i nëndegëve deri te kryetari i partisë, pas analizës së rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit 2026.

Përmes një njoftimi publik, dega e LDK-së në Rahovec ka bërë të ditur se në mbledhjen e mbajtur më 26 qershor është analizuar rezultati zgjedhor si në nivel lokal, ashtu edhe në nivel të Republikës së Kosovës.

Sipas degës së LDK-së në Rahovec, Kryesia ka vendosur unanimisht që partia duhet t’i nënshtrohet një procesi të përgjithshëm zgjedhor, duke marrë përgjegjësinë për rezultatin e arritur në zgjedhje.

“Me unanimitet të anëtarëve prezentë të Kryesisë së Degës, vendos që duke marrë përgjegjësinë për këtë rezultat zgjedhor, Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’i hyjë procesit të përgjithshëm zgjedhor, nga nëndegët deri tek Kryetari i LDK-së”, thuhet më tej.

Dega e LDK-së në Rahovec ka vlerësuar se pritjet e strukturave dhe aktivistëve të saj kanë qenë për një rezultat më të mirë në zgjedhjet e fundit, duke e konsideruar rezultatin e arritur si të pamjaftueshëm.

“Në zgjedhjet e 7 qershorit 2026, pritjet e Degës dhe aktivistëve ishin për një rezultat më të mirë të LDK-së. Duke pasur parasysh rezultatin zgjedhor të dobët në përgjithësi dhe në veçanti në Rahovec, Dega e LDK-së në Rahovec vlerëson si të domosdoshme mbajtjen e zgjedhjeve në të gjitha nivelet”, thuhet në reagim.

Sipas këtij subjekti politik në Rahovec, vetëm një proces gjithëpërfshirës, statutar dhe transparent mund të garantojë forcimin e LDK-së.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika