Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda ka folur sot para Qeverisë së Kosovës, teksa po vazhdon aksioni i tyre duke kërkuar thirrjen e seancës konstituive të kuvendit.
Ai ka thënë se sot bashkë me kolegët e tij të PDK-së dhe Aleancës si dhe me një grup të studentëve që u janë bashkuar, po kundërshtojnë shkeljen e vazhdueshme të Kushtetutës që ka thënë se po ndodh tash e gati një muaj.
“Ne jemi këtu pranë qeverisë ku deputeti i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti ka uzurpuar zyren më të lartë ekzekutive në Kosovë, zyrën e kryeministrit. Nga ana tjetër, ai ka bllokuar formimin e organit më të lartë të shtetit, Kuvendin e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës nuk është statuti i VV-së, ajo nuk interpretohet sipas disponimit politik të VV-së, as sipas disponimit politik të asnjë shumice parlamentare. Kushtetuta në thelb është koncept kundërmazhoritar, që do të thotë se sa do e madhe të jetë ajo shumicë, ajo përsëri i nënshtrohet Kushtetutës”, ka thënë Gruda.
Ai ka thënë se një parti edhe po t’i ketë fituar 120 ulëse në Kuvendin e Kosovës, ajo duhet të zhvillojë lojën politike brenda Kushtetutës.
“Fatkeqësisht, demorkacia e Kosovës sot po cenohet, rendi kushtetues është përmbysur tërësisht dhe njerëzit janë në pritje për të nxjerr Kosovën nga kjo krizë. Ne kemi thënë edhe vitin e kaluar që Kosova është në krizë dhe Kosova po vazhdon të mbetet në krizë”, ka shtuar Gruda.
Ai ka thënë se studentët që i janë bashkuar sot protestës, në 2020-n kur Kurti i ka fituar zgjedhjet kanë qenë në gjimnaz ose shkollë fillore, ndërsa sot si student shohin të vazhdoj e njëjta krizë.
“Dikush që në 2020-n kur ka fituar Albin Kurti ka qenë nxënës, sot mund të jetë i diplomuar në universitet dhe pret ta gjej një vend pune. Në fakt, e vetmja gjë që i është ofruar pas diplomimit është largimi nga Kosova. 300 mijë njerëz e kanë lëshuar Kosovën për 5 vjet. Ky nuk është migrim, as lëvizje e njerëzve por zhvendosje masive e njerëzve prej Kosovës. Kjo ndodh sepse përveç keq-qeverisjes, sot është përmbysur rendi kushtetues. Si mund të pres një i ri që ka ardh sot me ne këtu, që të bëhet diçka për të e familjen e tij, prindërit e tij për një vend pune që kërkon pas diplomimit kur olrgani kryesor i vendit mbahet i bllokuar”, ka shtuar Gruda.
Ai ka thënë se bllokimi i Kuvendit, shkelja e një afati kushtetues, nuk është çështje normale por simptomë e një pushteti anarkik, autoritar që nuk njëh asnjë normë, e sipas tij përmbys çdo normë, nuk ka respekt për qytetarin e Kosovës dhe votuesin e tij.
“Duhet të jesh krenar kur njerëzit të japin 53 deputetë, edhe duhet të jesh i përulur. S’duhet të presësh të zbardh dita për të nisur punën e jo të zësh arsye për t’iu shmangur përgjegjësisë. Do të ishte nder i madh për të marrë besimin popullor, ata njerëz që kanë votuar sot janë zhgënjyer. Qytetarët e Kosvoës sot po presin para një krize që ka filluar para më shumë se një vit e gjysmë, dy vjet dhe nuk dihet kur do të përfundoj. Prandaj, ne jemi sot me vendosmëri dhe të palëkundur këtu për të treguar që Kosova dhe shoqëria kosovare ka forcë, opozita politike ka forcë, neve do të na bashkohen shumë njerëz dhe në një moment ky shesh do të jetë plotë. Por, ai moment do të jetë moment të cilin Kosova nuk ka nevojë ta përjetojë, sepse mund të jetë një moment i pakëndshëm për të gjithë neve, ku plotë njerëz të vijnë këtu para derës së qeverisë”, ka thënë ai.
Ai ka paralajmëruar se mund të ketë një protestë më masive.
“Ne sot po provojmë me një metodë që e bën një shoqëri normale. Ne jemi një shoqëri e lirë, dramat, përplasjet i kemi kaluar, i kemi vuajtur rëndë. Protestimi në këtë formë paqësore, është për të ngritur një alarm që në një moment këtu mund të ketë shumë njerëz të cilët edhe mund të jenë të revoltuar. Prandaj, edhe sot i bëjmë thirrje deputetit Albin Kurti që ta lejojë deputetin Avni Dehari që ta thërrasë seancën e Kuvendit të Kosovës sepse ky është një absurd të cilin ne nuk e pranojmë”, ka shtuar Gruda.