LAJME

Nis projektimi i njësisë së re onkologjike në Spitalin e Prizrenit, do të trajtojë deri në 50 pacientë në ditë me kimioterapi

Nis projektimi i njësisë së re onkologjike në Spitalin e Prizrenit, do të trajtojë deri në 50 pacientë në ditë me kimioterapi
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Nëntor 2026, 21:23

Ka nisur hartimi i projektit për ndërtimin e njësisë së re onkologjike në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, e cila synon të ofrojë shërbime më të avancuara për pacientët me sëmundje malinje.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se projekti vjen tre vjet pas fillimit të shpërndarjes së terapisë tabletare onkologjike në këtë spital. Sipas tij, njësia e re do të funksionalizohet në faza, ndërsa në përfundim pritet të ketë kapacitete për trajtimin e 30 deri në 50 pacientëve në ditë me kimioterapi dhe 40 pacientëve me radioterapi.

Njësia do të pajiset me akselerator linear, simulator CT dhe hapësira moderne për trajtim e kontroll. Po ashtu, ajo do të lidhet në mënyrë digjitale me Klinikën e Onkologjisë në QKUK, duke mundësuar planifikimin e përbashkët të trajtimeve nga ekipet mjekësore në Prizren dhe Prishtinë.

Sipas ministrit Vitia, synimi i këtij projekti është që pacientët të marrin shërbimet onkologjike më afër vendbanimit, të kenë më pak pritje dhe të shmangin udhëtimet e shpeshta drejt Prishtinës.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika