Të premten, Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, I. K..
Sipas aktgjykimit, i akuzuari për armëmbajtje pa leje u dënua me dënim me gjobë, në shumën prej 1000 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fillim të kësaj seance, prokurori Metush Biraj deklaroi se është arritur marrëveshja mbi pranimin e fajësisë në mes të akuzuarit K. me prokurorinë, duke kërkuar nga gjykata që kjo marrëveshje të aprovohet.
Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Ismail Kryeziu, avokati Blend Gjini deklaroi se pas konsultimit me të mbrojturin e tij, i njëjti ka nënshkruar në mënyrë vullnetar këtë marrëveshje, duke kërkuar nga gjykata që marrëveshja në fjalë të aprovohet.
Në këto rrethana, gjykatësja Teuta Krusha mori aktvendim për aprovimin e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë në mes të akuzuarit Kryeziu me prokurorinë.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet menjëherë, deklaroi gjykatësja Krusha.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Ismail K. u shpall fajtor për veprën penale mbajta në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Për veprën në fjalë, i akuzuari K. u dënua me dënim me gjobë, në shumën prej 1000 euro, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak, prej 03 e deri më 24 nëntor 2020, thuhet në aktgjykim.
Ndaj të akuzuarit K. konfiskohet arma AK-47, së bashku me 59 fishek të kalibrit të panjohur, dy karikator si dhe 2 këllëf të armës së shkurtër, citohet në aktgjykim.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i përpiluar më 24 nëntor 2020, i pandehuri I. K. është akuzuar se nga data e pavërtetuar e deri më 03 nëntor 2020, ka mbajtur në shtëpinë e tij në Prizren, armën pushkë automatike AK-47.
Tutje, në aktin akuzues thueht se i akzuari K. ka poseduar në kundërshtim me ligjin edhe 59 fishek të kalibrit të panjihur, dy karikator dhe dy këllëf të armës së shkurtër, për të cilat nuk ka poseduar leje nga organi kompetent.
Me këto veprime, i akuzuari K. ka kryer veprën penale mbajta në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi