Dogana e Kosovës ka njoftuar se po vijon të shënojë rezultate të qëndrueshme në mbledhjen e të hyrave dhe në përmbushjen e objektivave institucionale.
Sipas njoftimit, gjatë periudhës janar–korrik 2026, të hyrat bruto kanë arritur në 1,153,076,683.00 euro, krahasuar me 1,085,940,460.22 euro në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Dogana thekson se kjo paraqet një rritje prej 6.18 %, ose rreth 67.14 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Rezultatet sipas kategorive:
Taksa e Doganës: 110.61 milionë € në vitin 2026, krahasuar me 103.53 milionë € në vitin 2025 – rritje prej 6.84%.
Taksa e Akcizës: 366.16 milionë € në vitin 2026, krahasuar me 352.05 milionë € në vitin 2025 – rritje prej 4.00%.
TVSH-ja: 673.47 milionë € në vitin 2026, krahasuar me 628.12 milionë € në vitin 2025 – rritje prej 7.21%.
“Rritja e të hyrave reflekton punën e vazhdueshme të Doganës së Kosovës në administrimin dhe mbledhjen e të hyrave, forcimin e kontrolleve doganore, përmirësimin e efikasitetit operacional dhe zbatimin e legjislacionit doganor.” – thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës thekson tutje se mbetet e përkushtuar në rritjen e efikasitetit, digjitalizimin e proceseve dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës.