Ueb-faqja e ‘Konsumatorit’ në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka qenë cak i një sulmi kibernetik.
Kështu ka njoftuar MINT-i të hënën, më 17.08.2026, duke bërë të ditur se ueb-faqja konsumatori.rks-gov.net aktualisht nuk është funksionale.
“Ju informojmë se para pak minutash, ueb-faqja konsumatori.rks-gov.net ka qenë cak i një sulmi kibernetik”- thuhet në njoftimin e MINT-it.
Sipas njoftimit, deri në rikthimin dhe funksionalizimin e plotë të ueb-faqes, qytetarët mund t’i adresojnë ankesat dhe kërkesat e tyre përmes kanaleve alternative të komunikimit.
MINT-i ka bërë të ditur se ankesat dhe kërkesat mund të dërgohen në adresën elektronike konsumatori@rks-gov.net, ndërsa qytetarët mund të kontaktojnë edhe përmes aplikacionit Viber në numrin +383 (0) 46 311-000.
Ministria nuk ka dhënë detaje të tjera për natyrën e sulmit, ndërsa ka bërë të ditur se shërbimet për konsumatorët do të vazhdojnë të ofrohen përmes kanaleve alternative deri në rikthimin e ueb-faqes.