Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që për sivjet të mos ketë shtrenjtim të energjisë elektrike. Në një njoftim për media, ZRRE-ja ka bërë të ditur se më 2026 pritet më shumë import dhe më pak prodhim brenda, por për të shmangur ndikimin e menjëhershëm është propozuar një mekanizëm që të ketë shpërndarje të kostove të rritura në më shumë periudha tarifore.
“Ky mekanizëm parasheh që një pjesë e kostove të rritura të furnizimit të shpërndahet në më shumë se një periudhë tarifore, me qëllim zbutjen e ndikimit në tarifa për një vit të vetëm. Ky trajtim nuk përfaqëson ulje reale të kostove, por një shpërndarje të tyre në kohë, duke kontribuar në stabilitetin e furnizimit dhe përballueshmërinë për konsumatorët. Pra ZRRE propozon që për këtë vit relevant tarifor të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët e shërbimit universal”, thuhet në komunikatën për media kur u bë publikimi i raporteve konsultative për të hyrat e lejuara maksimale për operatorët dhe furnizuesit.
ZRRE-ja ka thënë se gjatë analizës së aplikacioneve të pranuara nga ndërmarrjet energjetike, është vënë re se më 2026 do të ketë prodhim vendor më të ulët për shkak të remonteve në Termocentralet Kosova A dhe B. Kjo nënkupton se do të ketë më shumë import.




