Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka bërë një punë të mirë duke u mobilizuar me kapacitetet e saj maksimale për ta tejkaluar sa më lehtë dhe sa më shpejt situatën e vërshimeve në disa komuna të Kosovës, gjatë ditëve të fundit.
Sipas Sveçlës, përveç vërshimeve të ditëve të fundit, zjarrfikësit janë ballafaquar edhe me zjarre të përmasave të ndryshme njëkohësisht.
“Një ndër to ishte edhe zjarri në fabrikën e dyshekëve në Gjakovë. Falë angazhimit të zjarrfikësve nga gjashtë komuna shtesë, përveç atyre të Gjakovës, si dhe përkushtimit dhe angazhimit të tyre vetëmohues, zjarri u lokalizua. Tashmë mbetet që ekipet profesionale të AME-së të përcaktojnë saktë shkakun e këtij zjarri, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale” – njoftoi Sveçla.
Tutje, ministri në detyrë ka falënderuar pjesëtarët e AME-së, zjarrfikësit dhe anëtarët e ekipeve të kërkim-shpëtimit, pjesëtarët e FSK-së, institucionet lokale, si dhe qytetarët për angazhimin dhe solidaritetin e treguar këto ditë, në ndihmë të të prekurve dhe në minimizimin e dëmeve nga këto fatkeqësi.
