RAJONI DHE BOTA

Zjarret përfshijnë Europën, mijëra të evakuuar – Franca kërkon ndihmë nga BE, Spanja shpall gjendje emergjence

Zjarret përfshijnë Europën, mijëra të evakuuar – Franca kërkon ndihmë nga BE, Spanja shpall gjendje emergjence
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Korrik 2026, 07:48

Europa po përballet me një valë të fuqishme zjarresh, të nxitura nga temperaturat e larta dhe erërat e forta, duke detyruar autoritetet në disa shtete të evakuojnë dhjetëra mijëra banorë dhe turistë.

Situata më kritike paraqitet në Francë dhe Spanjë, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha pyjore dhe kanë kërcënuar zona të banuara, raportojnë mediat e huaja.

Në Francën jugperëndimore, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e plotë të gadishullit turistik Cap Ferret, pranë Bordosë, ndërsa mijëra persona janë larguar me automjete dhe mjete lundruese për shkak të avancimit të shpejtë të flakëve. Sipas autoriteteve franceze, deri tani janë evakuuar mbi 100 mijë persona nga zonat më të rrezikuara. Vetëm në rajonin e Cotignac (Kotinjak), në juglindje të vendit, janë shkatërruar rreth 25 banesa.

Presidenti Emmanuel Macron ka njoftuar se Franca ka aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian dhe ka kërkuar mbështetje me mjete ajrore për shuarjen e zjarreve.

Ndërkohë, Spanja ka shpallur për herë të parë gjendje emergjence kombëtare për shkak të zjarreve pyjore. Dy vatra të mëdha zjarri në perëndim të Madridit janë bashkuar në një front të vetëm, ndërsa autoritetet kanë evakuuar mbi 19 mijë banorë nga zonat e rrezikuara. Në disa zona janë shkatërruar dhjetëra banesa, ndërsa temperaturat ekstreme dhe erërat e forta po e vështirësojnë punën e ekipeve të zjarrfikësve.

Komisioni Evropian ka koordinuar dërgimin e ndihmës përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, duke mobilizuar avionë zjarrfikës, helikopterë dhe ekipe nga disa shtete anëtare për të mbështetur vendet e prekura nga zjarret.

Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat rekord dhe thatësira e zgjatur po e bëjnë sezonin e sivjetmë të zjarreve ndër më të rëndët në vitet e fundit. Autoritetet në disa vende evropiane kanë bërë thirrje për vigjilencë të shtuar, ndërsa operacionet për shuarjen e flakëve dhe mbrojtjen e popullatës vazhdojnë pa ndërprerje.

 

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika