Zëvendëskryeministri për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka, mori pjesë në Takimin e shtatë Ministror për Integrimin e Romëve, të organizuar sot në Podgoricë në kuadër të Procesit të Berlinit.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Damka prezantoi angazhimet e Republikës së Kosovës për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë, duke theksuar se garantimi i të drejtave përmes ligjeve nuk është i mjaftueshëm. Sipas tij, suksesi i vërtetë matet me ndikimin konkret që këto të drejta kanë në jetën e njerëzve.
Damka theksoi se, në kuadër të Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian për periudhën 2022–2026, 80 për qind e aktiviteteve të parapara në Planin e Veprimit janë përfunduar, ndërsa për zbatimin e tyre janë ndarë dhe investuar 18.3 milionë euro.
Në një nga mesazhet kryesore të fjalimit të tij, Damka theksoi se çështja nuk duhet të trajtohet vetëm në kuadër të një komuniteti, duke bërë thirrje për krijimin, përmes Procesit të Berlinit, të një nisme të re rajonale që do të përfshinte të gjitha komunitetet joshumicë në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë drejtim, Damka vuri theksin në rëndësinë e një qasjeje të përbashkët rajonale për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, përfshirjen sociale dhe ekonomike, përfaqësimin institucional dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
“Një Ballkan Perëndimor më i integruar, më i qëndrueshëm dhe që ecën drejt së ardhmes evropiane është i mundur vetëm kur të drejtat e të gjitha komuniteteve garantohen dhe shndërrohen në mundësi reale.” – theksoi ai.
Damka përcolli mesazhin se “Kosova është e gatshme të kontribuojë në këtë proces dhe, së bashku me të gjitha vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë, të punojë për zhvillimin e një qasjeje më gjithëpërfshirëse, të orientuar drejt rezultateve konkrete.”
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.