LAJME

EC Ma Ndryshe ka krijuar këndin ekologjik në SHMU “Gani Saramati”, synohet nxitja e riciklimit dhe përgjegjësisë mjedisore në shkollë

EC Ma Ndryshe ka krijuar këndin ekologjik në SHMU “Gani Saramati”, synohet nxitja e riciklimit dhe përgjegjësisë mjedisore në shkollë
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Nëntor 2026, 14:11

OJQ “EC Ma Ndryshe” ka realizuar intervenimin e radhës në SHMU “Gani Saramati” në Prizren, duke krijuar një kënd ekologjik të dedikuar për edukimin mjedisor dhe promovimin e praktikave të riciklimit në ambientet shkollore.

Sipas njoftimit të kësaj organizate, në kuadër të këtij intervenimi janë vendosur shtypëset e kanoçeve dhe shportat e veçanta për ndarjen e mbeturinave sipas kategorive, përkatësisht metalit, letrës dhe plastikës.

Këndi është pajisur gjithashtu me materiale informuese për riciklimin, rafte me përmbajtje edukative dhe elemente të gjelbërimit, duke krijuar një hapësirë ku nxënësit mund të mësojnë dhe të praktikojnë mënyra të përgjegjshme të menaxhimit të mbeturinave.

“Ky aktivitet synon të forcojë përgjegjësinë dhe angazhimin e nxënësve për mbrojtjen e mjedisit, duke e bërë edukimin ekologjik pjesë të përditshmërisë shkollore. Përmes këtij këndi, njohuritë mbi ndarjen e mbeturinave dhe riciklimin mund të shndërrohen në shprehi konkrete, të cilat promovojnë një kulturë më të qëndrueshme mjedisore.” – thekson kjo organizatë.

EC Ma Ndryshe ka njoftuar tutje se në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin dhe kontributin në përmirësimin e mjedisit shkollor, SHMU “Gani Saramati” përkatësisht ekipi mjedisor “Green Leaders” ka mbjellë “Drurin e Miqësisë” kushtuar EC-it.

“Ky gjest, i përgatitur me përfshirjen e nxënësve, i shërben qëllimit të përbashkët për mbrojtjen e mjedisit dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të gjelbër.” – përfundoi EC Ma Ndryshe.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika