Lidershipi i ri i “Listës së Studentëve” në Serbi nuk do të marrë pjesë në samitin e së mërkurës (25.11.2026) BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel dhe nuk pritet ta nënshkruajë deklaratën e tij, duke e lënë të paqartë nëse Beogradi do të rreshtohet krah politikës së jashtme të BE-së, raporton Euronews. Sanksionet ndaj Rusisë dhe çështja e Kosovës janë pikat kryesore të mosmarrëveshjes.
Lidershipi i ri politik i Serbisë do të mungojë spikatshëm në samitin e së mërkurës mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve të BE-së, duke lënë të hapur mëdyshjen nëse qeveria e re në Beograd do të afrohet më shumë me politikën e jashtme të bllokut.
Veçanërisht, duke pasur parasysh mungesën e saj, Brukseli gjithashtu nuk pret që Serbia t’i bashkohet deklaratës së samitit, e cila riafirmon angazhimin ndaj vlerave të BE-së dhe hedh poshtë revizionizmin historik, si dhe glorifikimin e krimeve të luftës.
Në shtator, funerali i madh, ku morën pjesë zyrtarë të lartë të qeverisë serbe, për kriminelin e dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”, shkaktoi kritika të ashpra nga BE-ja e disa shtete anëtare.
Mungesa e vendit më të madh dhe më me ndikim në rajon hedh hije mbi samitin e Brukselit, në kohën kur BE-ja mundohet ta shfrytëzojë hovin e ri të zgjerimit dhe t’i thellojë lidhjet me Ballkanin Perëndimor.
Aleksandar Çupiq, kryetari i sapozgjedhur i parlamentit të Serbisë dhe ushtruesi i detyrës së presidentit, ishte ftuar por nuk mundi të merrte pjesë për shkak të angazhimeve parlamentare, përfshirë formimin e komisioneve dhe përgatitjet për shpalljen e zgjedhjeve presidenciale.
“Sot duhet të përfundojmë seancën konstituive dhe ky është prioriteti ynë për momentin”, ka thënë për Euronews Sarah El Sarag, deputete e “Listës së Studentëve”. “Nuk është asgjë personale. Këto punë duhet t’i kryejmë së pari”.
Kjo mungesë merr bie edhe më fort në sy duke pasur parasysh se Serbia ndodhet në një tranzicion politik, pasi partia në pushtet e Aleksandar Vuçiqit e humbi pushtetin pas 14 vitesh.
“Lista e Studentëve”, krahu zgjedhor i lëvizjes protestuese, ka fituar tashmë shumicën parlamentare dhe pritet të formojë qeverinë e ardhshme.
Megjithatë, mospjesëmarrja në samit do të thotë se Brukseli duhet të presë më gjatë për ta kuptuar se si udhëheqja e re synon ta pozicionojë Serbinë kur vjen puna te çështjet më të ndjeshme të politikës së jashtme të bllokut, e mbi të gjitha, lidhur me Rusinë. Mungesa e Serbisë është kthyer njashtu në dukuri disi të zakonshme në këto samite.
Në dhjetor 2025, Vuçiqi njoftoi se as ai dhe as ndonjë zyrtar tjetër serb nuk do të merrnin pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, duke protestuar kundër faktit që shtetet anëtare të BE-së nuk u morën vesh për hapjen e “Kapitullit të tretë” të negociatave të anëtarësimit të Serbisë.
“Harmonizimi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së mbetet vërtet çështja më urgjente. Në kontekstin aktual gjeopolitik, shtetet tona anëtare presin një orientim të qartë strategjik nga partnerët që aspirojnë t’i bashkohen Bashkimit Europian, si me fjalë ashtu edhe me vepra”, është shprehur një zyrtar i BE-së për gazetarët, në prag të samitit të së mërkurës.
Me fjalë të tjera, Brukseli ka shtrënguar kërkesat lidhur me shkallën në të cilën vendet kandidate duhet të harmonizohen me politikën e jashtme të bllokut, siç ka raportuar më parë Euronews.
Shërbimi Europian për Veprim të Jashtëm, krahu diplomatik i BE-së, u ka dhënë udhëzime delegacioneve të BE-së që të monitorojnë nga afër zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë, si dhe mundësitë e shmangies së tyre në vendet kandidate.
Rreshtimi me regjimin e sanksioneve të BE-së kundër Moskës do të ishte vendim veçanërisht i vështirë për Serbinë. Përfaqësuesit e “Listës së Studentëve” kanë shprehur mbështetje për përshpejtimin e pranimit, veçanërisht përmes reformave të sundimit të ligjit, pavarësisë gjyqësore dhe lirisë së medias, por deri më tani kanë shmangur angazhimin për ndonjë ndryshim në politikën e jashtme.
Në një takim me zyrtarë të lartë të BE-së në Bruksel, përfaqësuesit e shumicës së re parlamentare thanë se angazhimi i tyre ndaj reformave të brendshme ishte nxitur kryesisht nga interesat e qytetarëve serbë dhe jo nga qëllimi i integrimit europian, pasi lëvizja bëri fushatë me platformën kundër korrupsionit.
Sanksionet ndaj Rusisë me gjasë do të kthehen në burim të madh fërkimi midis qeverisë së ardhshme dhe Brukselit. Një sondazh i Eurobarometrit i publikuar në maj zbuloi se 67% e të anketuarve serbë kundërshtuan sanksionet kundër qeverisë, individëve dhe kompanive ruse.
Opozita ka rrënjë të thella historike. Sanksionet e OKB-së ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë në vitet 1990, gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, kontribuan në vështirësitë ekonomike, hiperinflacionin dhe izolimin ndërkombëtar.
Fushata e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 dhe mbështetja diplomatike e Rusisë për Beogradin, veçanërisht për shkak të Kosovës, formësuan më tej qëndrimet publike ndaj politikës së jashtme perëndimore. Në një intervistë me Radion Evropa e Lirë muajin e kaluar, Ilija Srdanoviq, i cili është shfaqur si bashkëbiseduesi kryesor ndërkombëtar i “Listës së Studentëve”, tha se qytetarët serbë duhet të vendosin përfundimisht qëndrimin e vendit ndaj sanksioneve kundër Rusisë përmes një debati të hapur publik.
Një burim tjetër potencial fërkimi është perceptimi i përhapur brenda lëvizjes së protestës se institucionet e BE-së dhe disa udhëheqës europianë e akomoduan Vuçiqin pavarësisht shtypjes së demonstratave, korrupsionit dhe kufizimeve të lirisë së medias.
Kohët e fundit, në korrik 2026, Komisioni Europian ripërtëriu shtytjen për ta hapur Kapitullin e tretë për anëtarësim në BE, por tetë shtete anëtare e bllokuan, kryesisht për shkak të qëndrimit të paqartë të Beogradit ndaj Rusisë dhe të dhënave të saj të reformave të brendshme.
Kosova mund t’i ndërlikojë më tej marrëdhëniet me udhëheqjen e re. Refuzimi i Serbisë për të njohur pavarësinë e saj dhe mbështetja e saj në mbështetjen diplomatike ruse për ta mbajtur Kosovën larg njohjes më të gjerë ndërkombëtare, mbeten pengesa të rëndësishme për normalizimin.
Edhe këtu, Srdanoviq ka kërkuar ekuilibër. Ai ka thënë se “Lista e Studentëve” është e përkushtuar për të vazhduar dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës, ndërsa argumenton se marrëveshjet e arritura nga qeveritë e mëparshme serbe duhet të rishikohen për përputhshmëri me kushtetutën.
Kjo ngre pyetje në lidhje me gatishmërinë e lëvizjes për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, sipas së cilës Serbia u zotua të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Pritja jonë mbetet që Serbia, si të gjithë partnerët e tjerë në rajon, të përputhet me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, ka theksuar një zyrtar i dytë i BE-së.
Për Brukselin, sfida është të përcaktojë nëse angazhimi i lidershipit të ri për reformën demokratike mund të përkthehet në riorientim më të gjerë strategjik, apo nëse politika e jashtme e Serbisë do të mbetet kryesisht e pandryshuar pavarësisht trazirave në Beograd./Kallxo.com