Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit është theksuar korrupsioni serioz qeveritar.
Ai ka thënë se Qeveria Kurti kur kapet në flagrancë i ikë përgjegjësisë.
“Tani me vulën e SHBA-ve jeni hajna të certifikuar. Sepse Qeveria juaj po emërtohet korrupsion serioz qeveritar. Kjo nuk mund të ishte ndryshe kur vidhni në bukë e grurë të rezervave shtetërore. Kur kapeni në flagrancë, i ikni përgjegjësisë, nuk pranoni të hetoni përmes mekanizmave kuvendar, sulmoni, etiketoni, akuzoni prokurorinë e policinë” – u shpreh ai.
Ndërsa tutje ka përmendur katër gjetje të raportit të DASH-it, që sipas tij po e pengojnë të ardhmen e Kosovës.
“Nga shumë të gjetura në këtë raport po listoj katër me shqetësuese që janë evidentuar dhe po pengojnë të ardhmen e Kosovës: korrupsion serioz qeveritar, probleme në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe mediave duke përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve, hapa jokonsident për t’i hetuar zyrtarët që mund të kenë kryer shkelje e të drejtave të njeriut”- u shpreh ai.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) po diskutohet sot, më 02.04.2024 në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Problemet serioze në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve, dhe dhuna me bazë gjinore, janë përmendur vetëm disa prej problemeve me të cilat vazhdon të përballet Kosova, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2023, sa u përket të drejtave të njeriut në botë.Në raport është përmendur se më 2023 nuk është raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.