PRIZRENI ME RAJON

Zafir Berisha: Nuk do të marr pjesë në tubimet përkujtimore – unë jo në rresht me pasardhësit e UDB-shave

Zafir Berisha: Nuk do të marr pjesë në tubimet përkujtimore – unë jo në rresht me pasardhësit e UDB-shave
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Shtator 2026, 21:27

Ish-komandanti i UÇK-së dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha, ka reaguar përmes një shkrimi të gjatë lidhur me vendimin e tij për të mos marrë pjesë në tubimet përkujtimore kushtuar luftës së UÇK-së dhe të rënëve për liri.

Berisha ka bërë të ditur se prej gati një viti ka zgjedhur të mos marrë pjesë në këto ceremoni, duke thënë se luftën, UÇK-në dhe të rënët do t’i kujtojë “sipas mënyrës së tij”.

Ai ka kritikuar ashpër, siç shprehet, përbërjen e institucioneve lokale në Prizren, duke pretenduar se një pjesë e zyrtarëve komunalë janë të lidhur me persona që, sipas tij, u kanë shërbyer interesave të Serbisë. Berisha ka ngritur edhe pretendime për mënyrën e punësimit dhe trajtimit të familjeve të atyre që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës.

“Si të rreshtohem unë në të njëjtin vend me këta njerëz për të përkujtuar historinë e UÇK-së dhe të atyre që ranë për lirinë e Kosovës?”, ka shkruar Berisha.

Në reagimin e tij, Berisha ka përdorur edhe gjuhë të ashpër ndaj asaj që ai i quan “neo-jugosllavë” dhe “pasardhës të UDB-shave”, duke pretenduar se ndikime të tilla janë të pranishme në institucionet e Kosovës.

Berisha ka thënë se do të vazhdojë të flasë dhe të shkruajë drejtpërdrejt, pavarësisht reagimeve që mund të shkaktojnë qëndrimet e tij.

“Do të flas drejt, do të shkruaj drejt dhe do të them atë që ma ndien zemra, ndërsa rreshti i armiqve le të bëhet deri në Beograd”, ka shkruar ai.

Në fund, Berisha ka theksuar se preferon të qëndrojë larg ceremonive ku, sipas tij, nuk e gjen veten.

“Më mirë të ecësh vetëm, me ndërgjegjen e qetë, sesa i rrethuar nga njerëz që të përshëndesin vetëm pse ua thua atë që duan ta dëgjojnë”, ka shkruar Berisha.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika