Cem Struja (lexo: Xhem Struzha) 30 vjeç nga Prizreni ndonëse me profesion është inxhinier i ndërtimtarisë, deri më tani ka arritur që të krijojë disa produkte inovative. Madje me idetë e reja ka korrur sukses edhe në arenën ndërkombëtare.
Ai pohon se ky sukses buron nga dëshira e tij për zgjidhjen e problemeve.
“Si inxhinier i ndërtimtarisë gjithmonë kam dëshirë që të gjej zgjidhje për probleme të ndryshme. Edhe pse problemet nuk janë nga fusha ime e studimit, megjithatë unë kontaktoj me rrjetin e njerëzve profesionistë dhe krijoj ekip për të gjetur zgjidhje të caktuara”, thotë Struja, i cili ka studiuar në Universitetin e Sakaryas në Turqi dhe aktualisht jeton në Prizren.
Kësisoj ka vepruar edhe për “WellScanPro”, që është një startup inovativ nga Kosova që synon të bëjë kujdesin shëndetësor më të thjeshtë, më të qasshëm dhe më të përballueshëm për të gjithë.
“WellScanPro ofron një aplikacion të bazuar në IA që analizon shiritat e urinës për 15 parametra, duke dhënë rezultate të sakta brenda dy minutave. Përdoruesit mund ta përdorin lehtësisht produktin në shtëpi, pa pasur nevojë të vizitojnë laboratorët. Në të njëjtën kohë lehtëson edhe konsultimet online të përdoruesve me profesionistët shëndetësorë, duke u mundësuar atyre të marrin këshilla dhe mbështetje mjekësore nga shtëpitë e tyre, pavarësisht nga zona ku jetojnë”, deklaron Struja për Telegrafin.
Ai nënvizon se me futjen në treg të këtij produkti, përfitimet do të jenë të shumanshme për përdoruesit ngase ulet kostoja e shpenzimeve në krahasim me analizat tradicionale, pastaj lehtësohet qasja, ngase pacientët mund të monitorojnë shëndetin edhe nga komoditeti i shtëpisë dhe preciziteti do të jetë i lartë me rezultate të bazuara në IA.
Krahas tij si themelues, për krijimin e këtij produkti janë angazhuar edhe Sati Kaya, eksperte e marketingut, pastaj Hadis Karatashi, CTO dhe menaxher i projekteve teknologjike, Zejnel Morina, zhvillues softueri dhe ekspert i cilësisë dhe Ercan Canhasi, ekspert në inteligjencën artificiale dhe analizën e të dhënave.
“Falë angazhimit tonë kemi arritur suksese të mëdha në skenën ndërkombëtare, duke fituar në eventin prestigjioz ViennaUp, në Vienë të Austrisë dhe së fundmi duke u shpërblyer me vendin e dytë në nivel evropian në EIT Jumpstarter në Budapest të Hungarisë për kategorinë e shëndetësisë. Po ashtu, kemi marrë çmimin special si “Ekipi më i mirë nga Ballkani Perëndimor””, shprehet Struja.
Sipas tij asnjëra nga këto arritje nuk do të ishin të mundura pa përkrahjen e Makerspace Innovation Center në Prizren.
“Jemi krenarë që kemi marrë mbështetje të rëndësishme nga Makerspace Innovation Center Prizren dhe GIZ Kosovo e Komuna e Prizrenit, të cilët kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e WellScanPro. Pjesëmarrja jonë në edicionin e dytë të programit “Idea-to-Scale”, një program për fuqizimin e bizneseve startup, ku dolëm fitues, na ndihmoi të përmirësojmë idenë tonë dhe të rrisim potencialin e saj. Kjo mbështetje na ka mundësuar të prezantojmë idenë tonë jo vetëm në nivel lokal, por edhe global, duke dëshmuar që inovacioni dhe përkushtimi mund të sjellin ndryshime të mëdha në komunitet dhe më gjerë”, thotë Struja për Telegrafin.
Sipas tij planet janë që produkti të prezantohet në tregun e Kosovës në muajt e parë të vitit 2025, me një mision të qartë.
“Misioni ynë është që ta transformojmë kujdesin shëndetësor duke sjellë inovacion, qasje dhe përballueshmëri për të gjithë. Ne besojmë se çdo individ ka të drejtën për qasje të lehtë dhe të thjeshtë në monitorimin e shëndetit, pa pasur nevojë për procedura të kushtueshme apo të ndërlikuara”, pohon ai.
Ndërkohë te Struja ekziston edhe vullneti që një pjesë e fitimeve të ndahet në formë donacioni edhe për shtetet që nuk kanë infrastrukturë të duhur të laboratorëve.
“Ne jemi të përkushtuar për të krijuar një ndikim të qëndrueshëm në shoqëri, jo vetëm duke përmirësuar qasjen në shëndetësi, por edhe duke ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë. Si pjesë e përkushtimit tonë, ne do të dhurojmë 10% të fitimit tonë vjetor në formë të kompleteve diagnostikuese për shtetet që nuk kanë infrastrukturë laboratorike të mjaftueshme. Me këtë angazhim, ne shpresojmë të bëjmë një ndryshim të prekshëm në përmirësimin e shëndetit global dhe krijimin e një të ardhmeje më të shëndetshme për të gjithë”, deklaron ai për Telegrafin.
Përpos këtij aplikacioni, Struja me ekipe tjera ka krijuar edhe dy-tre projekte, në formë prototipi. “Për këto projektet tjera, jemi ende në kërkim të mbështetjes, me qëllim që të futemi në treg”.
Inxhinieri nga Prizreni thekson se përpjekjet në këtë drejtim nuk do t’i ndalë meqë synon që të jetë frymëzim për inovatorët e rinj.
“Porosia ime për ta është të mos heqin dorë nga idetë e ëndrrat e tyre, sado e vështirë që mund të duket fillimi. Storia jonë e suksesit uroj që të shërbej si udhëzues për inovatorët e rinj, që të avancojnë karrierat e tyre dhe projektet e ndryshme, ashtu që të japin kontribut në komunitetin e tyre por edhe ta prezantojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare me inovacione, ani pse jemi shtet i vogël”, përfundon Struja. /Telegrafi/