LAJME

VV lëshon seancën ku po diskutohet për kontratat njëburimore

VV lëshon seancën ku po diskutohet për kontratat njëburimore
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Mars 2024, 13:53

Deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë braktisur sallën e Kuvendit ku po diskutohet për çështjen e kontratave njëburimore.

Deri te ky veprim i deputetëve të partisë në pushtet ka ardhur pas përplasjeve verbale me deputetët e opozitës.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se grupi i saj ka vendosur që të lëshojë sallën e Kuvendit në seancën e thirrur nga opozita për kontratat njëburimore, pasi sipas saj seanca e ka humbur kuptimin dhe ka kaluar në sharje e ofendime. Ajo duke iu drejtuar opozitës tha se nëse kanë fakte për hajni ato le t’i dërgojnë në organet përgjegjëse.

E përplasja nisi mes shefave të grupeve parlamentare të LVV-së dhe LDK-së.

Mimoza Kusari-Lila i ka pyetur partitë opozitare nëse e kanë lexuar kërkesën për thirrje të seancës para se ta nënshkruajnë. E Arben Gashi duke iu kundërpërgjigjur ka thënë se “ajo po mundohet të bërtasë, por faktet po bërtasin më shumë”.

“Ne e kemi ftuar qeverinë në seancë për kontratat njëburimore që i ka dhënë qeveria dhe institucionet që derivojnë nga ajo. Interesi ynë si thirrës të kësaj seance është të diskutohet për ato 1805 kontratat. Ideja e thirrjes së seancës është shqyrtimi i projektrezolutës që ka të bëjë me tenderët njëburimor të dhënë nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti”, ka thënë Gashi.

Ndaj këtij deklarimi ka replikuar Kusari Lila, e cila tha se “është e vërtetë që faktet flasin shumë më fortë”.

“Kur me flet për formën e qeverisjes nisu prej shtëpisë tënde. Kampion në kontratat njëburimore është qeveria e vitit 2008 dhe pason ajo e vitit 2015”, ka thënë shefja e GP të LVV-së.

Hetim mbi tenderët ka kërkuar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Aliu: Seanca është dashur të ftohet për dikë tjetër, jo për mua

Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme për shqyrtimin e Propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, në seancën e sotme, ku po trajtohet çështja e tenderëve njëburimor, tha se diskutimi këtu për këtë çështje është i pakuptimtë, derisa shtroi pyetjen se pse po i drejtohen vetëm atij për këtë çështje.

Lidhur me këtë, ministri Aliu propozoi që të bëhet një seancë tjetër në të cilën do të ishin prezentë edhe ministra të tjerë.

Ai iu drejtua deputetes nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka iniciuar këtë seancë, duke shtuar se në këtë seancë është dashur të thirret dikush tjetër.

“Deputetja që e ka thirrur seancën e filloi dhe e përfundoi e përmendi njëherë Ministrinë e Infrastrukturës dhe tha 10 milionë që të mund të arsyetojë pse më kanë thirrur mua. Në dy shtylla është arsyetuar thirrja e seancës, nënshkrimi i kontratave burimore për 2021 dhe për 2023. Është dashur të thirret dikush tjetër, por më keni thirrur mua. Pse ma drejtoni seancën mua”, ka shtuar ministri Aliu.

Nga opozita kanë kritikuar ekzekutivin se ka abuzuar me paranë publike duke lidhur kontrata njëburimore.

Tahiri i AAK-së: Kontratat njëburimore janë mjeti më i mirë për dëmtimin e konkurrencës së lirë

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se diskutimi për çështjen e kontratave njëburimore do të mund të sjellë dobi në menaxhimin më të mirë të institucioneve publike.

“Prokurimi publik ka për qëllim të sigurojë në mënyrë efikase e transparente shfrytëzimin e parave të taksapaguesve tanë të cilët kërkojnë investime kapitale përmes organeve kontraktuese”, tha Tahiri.

Sipas tij, kontratat njëburimore edhe pse janë të lejuara me ligj në secilin vlerësim vendor e ndërkombëtar të Zyrës së Auditorit, tregojnë se janë mjeti më i mirë për dëmtimin e konkurrencës së lirë, për korrupsion e për faktorizim nga sektori publik në sektorin privat./RTK/

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika