Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se është kundër emërimeve me motiv partiak e personal pa bazë profesionale e të integritetit, pas reagimeve për emërimin e anëtarit të kësaj partie, Mentor Hyseni, si drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës. Kjo parti madje ka thënë se nuk i ka kritikuar kurrë profesionistët, qoftë edhe nga partitë e tjera.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! kurrë nuk ka kritikuar profesionistët qoftë dhe nga partitë e tjera. Ne kemi qenë dhe jemi kundër emërimeve me motiv partiak e personal pa bazë profesionale e të integritetit. Në shumë institucione përfaqësuesit tanë politikë vijojnë të punojnë edhe të promovojnë plot zyrtarë që me bindje janë kundërshtarë me subjektin tonë politik. Sepse jemi munduar e ende mundohemi që të mbështesim punën për vendin jo punët për vete”, thuhet në një përgjigje të zyrës për media të VV-së për KOHËN.
Ministria e Financave gjatë të mërkurës njoftoi se Hyseni është zgjedhur drejtor i ri i ATK-së. U tha se procesi për këtë post është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale. E Hyseni në vitin 2019 ishte prezantuar si anëtarësim i ri i VV-së. Pikërisht kjo nxiti reagime në shoqërinë civile e në partitë opozitare.





