Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i është përgjigjur kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me deklaratat e tij të enjten se Shqipëria është mbi Kosovën sa i përket pagës për mjekët specialistë.
Përmes një postimi në Facebook, VV-ja thotë se paga e mjekëve specialistë në Kosovë është më e lartë se e atyre në Shqipëri.
“Kosova ka pasur paga të pabarabarta dhe trajnim jodinjitoz për çdo profesion, në të gjitha nivelet. Pa dyshim shëndetësia ishte sektori më i dëmtuar, që jo vetëm që u la anash për t’u shkatërruar, por si rezultat pati dekurajimin për gjithë punëtorët shëndetësor. Me ligjin e ri për paga gradualisht punëtorët shëndetësor po marrin një trajtim të dinjtetshëm. Dje, po ashtu në Qeveri u miratua projektligji për çmimin e produkteve medicinale për barna me çmim unik dhe të përballueshëm. Ndërkaq, edhe shumë ligje të tjera që do të vijnë në kuadër të reformës së thellë në këtë sektor do të ndryshojnë rrënjësisht shëndetin e shëndetësinë publike”, thuhet në postimin e VV-së.





