Lëvizja Vetëvendosje e ka vlerësuar kundërkushtetues dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, derisa ka insistuar se që nga mbrëmja e 5 marsit ka hyrë në fuqi afati 60-ditor që përcaktohet në Kushtetutë për zgjedhjen e presidentit.
Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se shpërndarja e Kuvendit bie ndesh me Kushtetutën, derisa njoftoi se sot, 6 mars, LVV do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
“Nuk ka asnjë arsye se pse duhej të ndodhte një akt i tillë sot në mëngjes. Me kërkesën e Qeverisë sot në 14:00 ka qenë e ftuar një seancë për shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me vlerë rreth 100 milionë euro projekte me interes të qytetarëve”, ka thënë ajo në konferencë për media.
Nagavci ka shtuar se Vetëvendosja ka bërë çfarë ka pasur në dorë për të shmangur edhe një palë zgjedhje.
“PDK-ja insistonte se posti i presidentit u takon atyre ndonëse kishin 22 vota në Kuvend. Kur u pyetën për emrin, nuk e bënë publik. Edhe PDK edhe LDK kanë refuzuar të propozojnë kandidat të tyre. Edhe presidentja Osmani nuk pranoi nënshkrimet e LVV duke kërkuar që kandidatura e saj të bëhej vetëm me garantim të rezultatit dhe votave të gjithë deputetëve tanë”, potencoi ajo.
Ndërsa nuk ka përmendur emër konkret, Nagavci ka thënë se “ne kemi qenë të vetëdijshëm që ka shumë palë dhe grupe të interesit që u ka penguar mbështetja e madhe e qytetarëve për LVV-në dhe Kurtin”.
Ndërsa Adnan Rrustemi ka thënë se Osmani mandatin e saj 5-vjeçar po e mbyll më shkelje të rëndë kushtetuese.
“Kuvendi i Kosovës ka pasur plotësisht bazën kushtetuese për t’u përpjekje për ta zgjedhur presidentin në përputhje me procedurën që ka filluar mbrëmë, edhe 59 ditë, për më shumë kemi edhe 59 ditë, data më e hershme eventuale për shpërndarje të Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshëm do të ishte 4 maji”, është shprehur Rrustemi.
Sipas tij kjo parashihet në nenin 82, paragrafin 3 të Kushtetutës.
“Madje paradoksalisht siç e thotë edhe dekreti i presidentes për të shpërndarë Kuvendin në bazën kushtetuese në krye të aktit, i referohet paragrafit 3 të nenit 82, që thotë se Kuvendi shpërndahet nëse dështon të zgjedh presidentin e Republikës brenda 60 ditëve nga nisja e procedurës”, ka theksuar Rrustemi.
Ai ka thënë se presin që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshëm, par siç ka theksuar, ndaluar dhe kufizuar pasojat e këtij dekreti./KOHA