Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur edhe sot se i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke kërkuar që Aleanca të mos lejojë hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Vuçiq tha se nga KFOR-i ka kërkuar gjithashtu që të ndërhyjë për të ndalur atë që ai e quajti “terror ndaj serbëve”, si dhe arrestimet, dëbimet dhe rrënimin e shtëpive.
“Sapo i dërgova një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të ndalojë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen e tyre, arrestimet, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”, deklaroi Vuçiq, shkruajnë mediat në Serbi, transmeton Telegrafi.
Ai tha se i ka kërkuar Rutte-s që NATO të mos e lejojë hapjen e urës.
“Kemi kërkuar që të mos e bëjnë këtë, sepse hapja e urës mbi Ibër është çështje e dialogut në Bruksel”, tha Vuçiq, duke e lidhur situatën edhe me mosformimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Presidenti serb paralajmëroi se Beogradi do të vazhdojë, siç tha ai, “luftën politike në të gjitha mënyrat e mundshme”, duke mos përjashtuar as kërkesën për një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Serbia dhe Vuçiq kërkojnë që ura e Ibrit të mos hapet, duke e ndërlidhur këtë çështje me situatën e sigurisë në Kosovë. Pretendime të tilla janë kundërshtuar nga institucionet e sigurisë në Kosovë dhe institucione të tjera.
Në Kosovë, bartja e kompetencave të sigurisë në urën e Ibrit nga KFOR-i te Policia e Kosovës është vlerësuar si hap pozitiv, ndërsa ka pasur thirrje që ura të hapet sa më shpejt, me arsyetimin se kjo do të ndihmonte në normalizimin e lëvizjes dhe krijimin e mirëbesimit ndërmjet qytetarëve në të dy pjesët e Mitrovicës. /Telegrafi