Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.), ka reaguar ndaj deklarimeve dhe interpretimeve të pabazuara, sipas tyre, lidhur me kontratën për shitjen e qymyrit me JSC ESM, duke sqaruar edhe njëherë se qëndrimi zyrtar i KEK-ut është në përputhje të plotë me kontratën e nënshkruar ndërmjet palëve.
KEK-u thekson se nuk mban përgjegjësi për formulimet apo interpretimet e publikuara nga palë të tjera. Për KEK-un, referencë zyrtare dhe juridikisht e vlefshme është kontrata.
Sipas KEK-ut, në kontratë nuk ekziston asnjë dispozitë për koncesion mbi qymyrin, minierat, asetet apo resurset e KEK-ut. Sipas tyre, objekti i saj është i qartë: shitja e qymyrit.
“Kontrata dhe dosja e tenderit janë publike në platformën E-Prokurimi të KRPP-së dhe mund të verifikohen drejtpërdrejt nga çdo qytetar, medium apo palë e interesuar. KEK-u tashmë ka bërë publike faktet kryesore: 24.4 euro për ton pa TVSH, periudhë 36-mujore, vlerë potenciale deri në 73.2 milionë euro, shitje direkte te përdoruesi përfundimtar dhe pa ndërmjetësues.” – thuhet në reagim.
Po ashtu, KEK-u thekson se nuk merr përsipër eskavimin, transportin apo operacionet logjistike për tërheqjen e qymyrit.
Sipas KEK-ut, kkjo e mban realizimin e kontratës të ndarë nga proceset operative të Korporatës dhe garanton se shitja e kësaj sasie të qymyrit nuk cenon operimet minerare, furnizimin e termocentraleve me qymyr apo prodhimin vendor të energjisë elektrike.
“Nevojat e termocentraleve mbeten prioritet absolut. Prandaj, paraqitja e kësaj kontrate si ‘koncesion’ është e pabazuar dhe në kundërshtim me përmbajtjen e dokumentit zyrtar.” – thuhet më tej.
KEK-u u bën thirrje të gjithë të interesuarve që t’u referohen dokumenteve zyrtare dhe jo deklarimeve të pakonfirmuara apo interpretimeve të shkëputura.
“Transparenca është obligim. Faktet janë të verifikueshme. Kontrata është publike. Në kontratë nuk ka koncesion.” – përfundon KEK-u.