LAJME

Anëtarët e SHB “Sharri” pushtojnë maja dhe eksplorojnë destinacione të reja, nga Jordania deri në Alpet zvicerane

Anëtarët e SHB “Sharri” pushtojnë maja dhe eksplorojnë destinacione të reja, nga Jordania deri në Alpet zvicerane
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Nëntor 2026, 15:05

Pasioni për bjeshkët, aventurat dhe eksplorimin e natyrës vazhdon të jetë i pranishëm te anëtarët e Shoqatës Bjeshkatare “Sharri”, të cilët krahas aktiviteteve të përbashkëta të klubit, realizojnë edhe ekspedita dhe ngjitje individuale në destinacione të ndryshme.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, Zaim Mazllomi realizoi një aventurë tetëditore në Jordani, ku pati mundësinë të eksplorojë bukuritë natyrore dhe peizazhet karakteristike të këtij vendi.

Ndërkohë, Bilall Koqi dhe Naser Kastrati ngjitën me sukses majën Zindlenspitz (2,098 m), në zonën e Wägitalit në Zvicër, duke përjetuar një tjetër aventurë alpine mes peizazheve mbresëlënëse të Alpeve zvicerane.

Një tjetër sfidë malore u realizua nga Nit Gashi, i cili, së bashku me një grup të vogël privat, kishte planifikuar ngjitjen e majës Kom Kučki, në masivin e Komovit në Mal të Zi. Megjithatë, për shkak të kushteve të vështira dhe motit të papërshtatshëm, grupi ndryshoi objektivin dhe arriti të ngjisë me sukses majën sfiduese Srednji Kom, në lartësinë 2,483 metra.

Shoqata Bjeshkatare “Sharri” i ka përgëzuar anëtarët për aktivitetet e realizuara, përkushtimin dhe aventurat e tyre, duke u dëshiruar edhe shumë ngjitje të suksesshme, përvoja të paharrueshme dhe maja të reja për t’u pushtuar.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika