Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar si “hipokrit” reagimin e ndërkombëtarëve në lidhje me një numër të madh të qytetarëve të Kosovës që u ndaluan nga Serbia në pikat kufitare ditë më parë.
Vuçiq tha sot se në ditët e kaluara “asnjë autobus nuk është ndaluar në kufirin serb”, por disa persona janë ndaluar në Serbi për t’u marrë në pyetje.
Ndryshe, para dy ditësh, Serbia i ndaloi mbi 1.400 kosovarë për më shumë se 20 orë në pikat kufitare të saj me Kroacinë dhe Hungarinë, të cilët po kalonin transit nëpër Serbi.
Për këtë reaguan Bashkimi Evropian dhe Departamenti amerikan i Shtetit, duke e kritikuar Serbinë për shkelje të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes dy vendeve.
“Nuk ka njeri në botë që nuk ka reaguar [për këtë]”, tha Vuçiq, duke e vlerësuar si “hipokrit” reagimin e bashkësisë ndërkombëtare.
“Dy ose tre persona u ndaluan për t’u marrë në pyetje dhe të gjithë u liruan. Njëri prej tyre u mor në pyetje sepse ishte në UÇK (Ushtria Çlirimtare e Kosovës)”, tha Vuçiq.
Në mesin e të ndaluarve ishin edhe dhjetë zyrtarë policorë, përfshirë zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me kombësi serbe, Dejan Jankoviq.
/GazetaSinjali/