Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se ditëve në vijim do të takohet në Paris me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe Përfaqësuesin Special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak si dhe me Përfaqësuesin e lartë BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
Duke folur për marrëveshjen e Brukselit, Vuçiq, tha se Serbia e ka respektuar fjalën dhe nënshkrimin e dhënë, dhe se tani është radha që këtë ta bëjë Bashkimi Evropian dhe Kosova, transmeton Telegrafi.
Gjatë një konference për media, presidenti serb tha se ka anuluar udhëtimet në Egjipt dhe Katar, por se gjatë dy ditëve të ardhshme do të qëndrojë në Paris ku do të marrë pjesë në Forumin për Paqe, dhe pritet të takohet me Lajçakun dhe Macron.
Reklama
“Ata akoma nuk po heqin dorë nga veprimet e tyre ilegale lidhur me targat, nuk u shkon ndërmend të marrin pjesë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Dhe tani është e qartë për të gjithë se gjithçka që ka ekzistuar nga institucionet, ka ekzistuar sepse kemi respektuar fjalën dhe nënshkrimin tonë”, shtoi Vuçiq.
Ai theksoi se Serbia nuk tërhiqet dhe kurrë nuk e tërheq nënshkrimin e saj, por se marrëveshja e Brukselit, ka tre nënshkrime, jo një.
“Një është i kryeministrit Ivica Daçiq. Ekzistojnë edhe dy tjerë, njëri i përfaqësuesit shqiptar dhe tjetri i Bashkimit Evropian. Nënshkrimin e Daçiqit të gjithë ne në Serbi e kemi respektuar dhe kemi bërë gjithçka që duhej të bënim. Tani është koha të mishërohen dy nënshkrimet e tjera”, shtoi Vuçiq.
Reklama
Ai shtoi se kjo do të thotë që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, dhe që rregulloret të mos interpretohen në mënyrë të rreme.
“Tani mirë, është radha juaj, përmbushni marrëveshjen e Brukselit. Dhe për serbët nuk keni nevojë të shqetësoheni, fjala jonë e deritanishme ka nënkuptuar shumë më tepër se nënshkrimi i Prishtinës dhe BE-së. Nënshkrimi dhe fjala jonë janë të vlefshme në të drejtën ndërkombëtare”, tha për fund presidenti serb. /Telegrafi/