Përfaqësuesi i përbërjes së Qeverisë së Serbisë dhe lideri i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millosh Vuçeviq, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë deklaroi se Serbia e ka ende synim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).
Por, ai shtoi se “fakti që procesi është i ngarkuar nga kriteret e reja politike nuk mund të injorohet”.
Së fundi, BE-ja zyrtarisht ka kushtëzuar integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën.
Vuçeviq tha se pritshmëritë e BE-së lidhen me atë që Serbia ta “poshtërojë” veten duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Por, ai theksoi që Serbia nuk do t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.
“Nuk ka dyshim se presionet do të vazhdojnë, ndoshta do të intensifikohen, por jemi të vendosur që të qëndrojmë në të njëjtat pozicione”, tha Vuçeviq.
“Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror, ashtu siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por kemi deklaruar se nuk do t’i bashkohemi politikës së sanksioneve”, tha ai.
Në prezantimin e tij, Vuçeviq “theksoi posaçërisht” rëndësinë e partneritetit me Kinën, duke vlerësuar se marrëveshja tregtare do të hapë dyert e tregut kinez për biznesmenët.
“Pavarësisht pikëpamjeve kontradiktore të shumë njerëzve në Perëndim, për ne Kina përfaqëson një vend mik, një partner dhe një aleat të besueshëm në mbrojtjen e integritetit tonë territorial”, shtoi ai.
Ai tha se qëndrimi i Serbisë ndaj Kinës nuk do të ndryshojë dhe shtoi se mezi pret vizitën e presidentit kinez, Xi Jinping, i cili do ta vizitojë Serbinë më 7 dhe 8 maj.
Vuçeviq gjithashtu tha se Serbia do të ndërtojë marrëdhënie më të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
/Gazeta Sinjali/