LAJME

Vrasja në Suharekë pas një mosmarrëveshjeje për parkingun, gjykata cakton një muaj paraburgim për të dyshuarin

Vrasja në Suharekë pas një mosmarrëveshjeje për parkingun, gjykata cakton një muaj paraburgim për të dyshuarin
TV Prizreni
TV Prizreni
20 Nëntor 2026, 12:34

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit Rr.H., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Masa e paraburgimit, e caktuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, Ilir Rashkaj, mund të zgjasë deri më 18 dhjetor 2026.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, rasti i rëndë ka ndodhur më 18 nëntor, rreth orës 12:03, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë, pas një mosmarrëveshjeje të çastit lidhur me parkimin e automjeteve.

Prokuroria dyshon se Rr.H., duke përdorur një armë zjarri të llojit “Sig Sauer”, ka shtënë disa herë në drejtim të S.D., fillimisht përmes xhamit të automjetit dhe më pas duke vazhduar të qëllojë edhe pasi kishte hapur dyert e tij.

Si pasojë e plagëve të marra, viktima fillimisht kishte marrë ndihmën e parë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, ndërsa më pas ishte dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.

Sipas dosjes së Prokurorisë, në momentin e ngjarjes në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe bashkëshortja dhe vajza e mitur e viktimës, jeta e të cilave, sipas dyshimeve, është vënë gjithashtu në rrezik nga të shtënat me armë zjarri.

Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, por më vonë është lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.

Gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e dyshuar si mjet të kryerjes së veprës penale, dy karikatorë dhe 24 fishekë. Ndërkaq, gjatë kontrollit të banesës janë gjetur edhe 47 fishekë të tjerë.

Një tjetër rrethanë e përmendur në kërkesën e Prokurorisë është fakti se i dyshuari rezulton të ketë qenë i dënuar më parë nga autoritetet zvicerane për veprën penale të vrasjes.

Në arsyetimin e vendimit për paraburgim, Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes së të dyshuarit dhe shmangies nga përgjegjësia penale, duke marrë parasysh faktin se ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes pas rastit dhe ishte arrestuar vetëm pas lokalizimit nga hetuesit policorë.

Gjykata ka theksuar gjithashtu peshën e veprave penale për të cilat dyshohet Rr.H., mënyrën e kryerjes së tyre dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, duke vlerësuar se në këtë fazë të procedurës vetëm masa e paraburgimit mund të garantojë praninë e të pandehurit dhe zhvillimin e papenguar të hetimeve.

I dyshuari po hetohet për veprën penale të vrasjes së rëndë, sipas nenit 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, sipas nenit 366.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika