LAJME

Drejtoresha për Mirëqenie Sociale flet për takimin me Arlinda Zekajn: Më kërkoi takim pas paraqitjes së rastit në polici

Drejtoresha për Mirëqenie Sociale flet për takimin me Arlinda Zekajn: Më kërkoi takim pas paraqitjes së rastit në polici
TV Prizreni
TV Prizreni
20 Nëntor 2026, 10:45

Drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj-Bajraktaraj, ka deklaruar se nuk ka pasur përgjegjësi të drejtpërdrejtë në trajtimin e rasteve të dhunës, përfshirë rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës. Gjatë intervistimit në Komisionin Hetimor lidhur me këtë rast, ajo ka folur për përgjegjësitë e saj institucionale, kapacitetet e Qendrës për Punë Sociale, si dhe takimin që kishte zhvilluar me të ndjerën pas paraqitjes së rastit në polici, raporton Ekonomia Online.

Në fillim të deklarimit të saj, Mujaj-Bajraktaraj tha se kjo është një prej përballjeve më të vështira në jetën e saj, duke pretenduar se është gjykuar dhe linçuar padrejtësisht për përgjegjësi që, sipas saj, nuk i takojnë drejtpërdrejt.

“Atëherë fillimisht për hir të korrektësisë me opinionin publik e kam shumë të rëndësishme të sqaroj që është një prej përballjeve më të vështira në jetën time, jo në aspektin e punës edhe përgjegjësisë institucionale që më takon, por në aspektin e përgjegjësive njerëzore, pasi që atë e kam pasur bashkëvendase edhe besoj që padrejtësisht jam gjykuar e jam linçuar me detyrime e përgjegjësi të cilat drejtpërdrejt nuk më takojnë. Unë nuk trajtoj raste direkt, nuk jap mendime, nuk jap vendime në raport me fëmijët edhe me rastet e dhunës. E jam drejtor politik në kuptimin që hartoj politika për zhvillim të fushës sociale në nivel lokal. Kjo është përgjegjësia ime”, tha ajo.

Duke folur për numrin e punonjësve dhe ngarkesën me raste në Qendrën për Punë Sociale, Mujaj-Bajraktaraj bëri të ditur se në dy shërbimet që ofron kjo qendër janë të angazhuar gjithsej shtatë zyrtarë.

Ajo tha se në shërbimin profesional ka pasur zvogëlim të numrit të punonjësve, pasi njëra nga punëtoret, psikologe, ka kaluar në pushim të lehonisë, ndërsa një tjetër është transferuar në një dikaster tjetër.

“Atëherë në kuptimin e numrit aktual të rasteve në raport me numrin e zyrtarëve që janë të deleguar të ushtrojnë këtë funksion, Qendra për punë sociale ka dy shërbime që i ofron njëkohësisht: shërbimi profesional i punës, që janë zyrtarët profesionalë, dhe shërbimi i asistencës. Në të dy shërbimet janë të angazhuar shtatë zyrtarë. Te pjesa e shërbimit profesional, ka filluar domethënë rritja e vëllimit të rasteve edhe normal ai presioni që zyrtari mos me mujt me kompletu tamam, me kryer punën ndoshta në nivelin ose standardin që i kërkohet, me rastin kur njëra prej punëtoreve, në këtë rast psikologia, ka kaluar në pushim të lindjes dhe njëra prej punëtoreve të tjera ka qenë, ka kaluar në tjetër dikaster. Domethënë, automatikisht është zbrazur numri i punëtorëve në minus dy vende. Dhe kjo pastaj ka krijuar vëllim. Në raport me numrin e rasteve normalisht që gjithmonë konsideroj të rëndësishme që edhe sipas standardeve ndoshta nuk është edhe i mjaftueshëm. Nuk është i mjaftueshëm, por kjo të kufizon te pjesa e buxhetit. Këto duhemi me pasur qartë. Në rast se komunat do të kishin gëzuar grantin specifik për shërbime sociale, njëjtë siç e gëzon Drejtoria e Arsimit dhe Drejtoria e Shëndetësisë, atëherë ne kishim reflektuar në këtë drejtim. Por në momentin që s’e keni grant specifik, ti je e kufizuar me vepruar brenda grantit të përgjithshëm. Kjo mandej ta kufizon edhe te pjesa infrastrukturore dhe kapacitetet njerëzore. Në momentin që i ofron qeveria komunës grantin specifik për shërbime sociale, atëherë edhe qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë llogaridhënie, cilësi më të mirë të shërbimeve e çfarëdo lloj kompetence që mendojnë që nuk është ushtruar siç duhet me u ushtruar në raport të trajtimit korrekt të rastit”, tha ajo.

E pyetur nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, nëse ishte takuar me të ndjerën Arlinda Zekaj, Mujaj-Bajraktaraj u përgjigj se po.

Ajo, ndërkaq, mohoi pretendimet se e kishte detyruar Zekajn ta tërhiqte ankesën.

“Jo, nuk është e vërtetë”, tha ajo.

Duke folur për takimin me të ndjerën, drejtoresha tha se ai kishte ndodhur menjëherë pas paraqitjes së rastit në polici. Sipas saj, rasti ishte paraqitur të premten, më datë 10 korrik, në orët e pasdites, ndërsa Arlinda kishte kërkuar takim me të, të hënën në mëngjes.

“Takimi jonë ka ndodhur menjëherë pas paraqitjes së rastit në polici. Rasti është paraqitur me datën 10 korrik, korrekt, ka qenë ditë e premte mbasdite, në bazë të raportit të informacionit që e kam. Edhe Arlinda ka ardhur menjëherë ditën e hënë. Ka kërkuar takim me mua paradite, menjëherë sapo kam filluar punën. Normalisht që e kam pritur, thashë e kam pasur bashkëvendase. Njëkohësisht secilin qytetar që kërkon takim me mua jam në dispozicion ta pres edhe ta udhëzoj edhe normalisht të kryej funksionin për shkak të të cilit jam zgjedhur”, u shpreh ajo.

E pyetur nëse Arlinda i kishte shprehur shqetësimet e saj gjatë takimit, Mujaj-Bajraktaraj tha se e ndjera kishte shprehur pakënaqësi për trajtimin e rastit në polici dhe për vlerësimin profesional.

“Arlinda ka shpreh shqetësime për trajtimin e rastit në polici. Në polici, ku ka qenë prezent edhe zyrtari për shërbime sociale. Ka kërkuar që rasti me u trajtuar me prezencë në vazhdim, me u trajtuar me prezencë të ambasadës amerikane edhe ka shpreh shqetësim në aspektin profesional të vlerësimit, duke e cilësuar si vlerësim të njëanshëm”, deklaroi ajo.

E pyetur nëse kishte ndërmarrë ndonjë veprim pas shqetësimeve të paraqitura nga Arlinda Zekaj, drejtoresha tha se menjëherë kishte ftuar udhëheqësin e shërbimit social, në mënyrë që ai, në cilësinë e profesionistit, ta udhëzonte palën për të drejtat dhe procedurat që duhej të ndiqeshin.

“Menjëherë sapo e kam kuptuar arsyen e takimit, e kam ftuar udhëheqësin e shërbimit social në cilësinë e profesionistit, me udhëzuar palën çka ka të drejtë edhe cilat janë procedurat në vijim. Udhëheqësi i ka kërkuar Arlindës, si të gjitha këto, kërkesa, ankesa, t’i dorëzojë me shkrim, t’i dorëzojë me shkrim, edhe mandej ta shohim mënyrën e trajtimit”, tha Mujaj-Bajraktaraj./EO

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika